Vdekjet e punëtorëve
Vdekjet në vendin e punës dhe punëtorë të paregjistruar: Kostoja e ndërtimit pa mbikëqyrje
Lista gjithnjë e më e gjatë e vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës ka vënë në pah mangësitë në sektorin e ndërtimit në Kosovë, ku punëtorët e paregjistruar, kushtet e pasigurta të punës dhe mungesa e përgjegjësisë vazhdojnë të kushtojnë jetë njerëzore.
Migrimi i punëtorëve nga Kosova dhe punësimi i tyre në tregjet e europine ka krijuar një boshllëk në sektorin lokal të ndërtimit, çka ka çuar në punësimin e punëtorëve nga vende të tjera. Megjithatë, në shumë raste, këta punëtorë të huaj përballen me shkelje bazike të të drejtave, përfshirë mungesën e regjistrimit dhe masat e pamjaftueshme të sigurisë në punë.
Në korrik, Administrata Tatimore e Kosovës, ATK, nisi një aksion që kishte në shënjestër kompanitë ndërtimore, pas raportimeve nga qytetarë dhe informacione të inteligjencës që tregonin se shumë kompani po punësonin punëtorë pa kontrata formale.
Një ekip i KALLXO.com iu bashkua inspektorëve të ATK-së në terren për të monitoruar punën e disa kompanive ndërtimore në Prizren. Në një vendpunishte, inspektorët e ATK-së zbuluan trembëdhjetë punëtorë të paregjistruar nga Turqia.
Një punëdhënës në vendin e ngjarjes në Prizren u shpreh do të ishte e kushtueshme nëse punëtorët do të regjistroheshin menjëherë, “sepse pas një ose dy ditësh, disa punëtorë thonë se nuk u pëlqen puna.” Ai u arsyetua se punëtorët e paregjistruar “sapo kanë ardhur javën e kaluar.”
Në një vend tjetër, një kompani kishte angazhuar vetëm katër punëtorë për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe.
Ligji i punës në Kosovë kërkon që çdo i punësuar të ketë një kontratë pune të vlefshme të nënshkruar të paktën një ditë përpara fillimit të punës dhe një certifikatë mjekësore që dëshmon se është i aftë për punë. Punëtorët gjithashtu kanë të drejtë për informim mbi kushtet e punës dhe trajnim të përshtatshëm. Mosrespektimi i këtyre kërkesave përbën shkelje ligjore.
Valdrin Nalli, inspektor i ATK-së, i shpjegoi punëkryesit se “për çdo punëtor të paregjistruar, gjoba është 500 euro.”
Mbikëqyrja në sektorin e ndërtimit është e ndarë mes Inspektoratit të Punës, që është përgjegjës për monitorimin e kontratave dhe sigurinë në vendin e punës, dhe ATK-së, që siguron regjistrimin dhe përputhjen me obligimet tatimore.
Që nga janari i vitit 2024, ndryshimet ligjore kërkojnë gjithashtu që punëdhënësit të regjistrojnë punëtorët në platformën e ATK-së të paktën një ditë para fillimit të punësimit. Punëtorët kanë gjithashtu të drejtën të verifikojnë statusin e tyre të regjistrimit.
Megjithë ligjet ekzistuese, shkalla e punësimit informal dhe shmangies tatimore, si dhe numri i aksidenteve fatale, tregojnë se sektori i ndërtimit në Kosovë po përballet me një krizë përgjegjësie dhe mbikëqyrjeje.
Vdekjet në vendin e punës: Tragjedi sistemike

Pavarësisht rritjes së inspektimeve dhe përmirësimeve në rregullore, vdekjet në vendin e punës në sektorin e ndërtimit në Kosovë mbeten alarmuese. Që nga janari i vitit 2025, janë raportuar 8 vdekje dhe 268 aksidente në vendin e punës në Kosovë, shumica në industrinë e ndërtimit, përfshirë katër vdekje brenda vetëm dy ditësh.
Vdekja e fundit është e një punëtori ndërtimi në Skenderaj, i cili vdiq pasi dyshohet se pësoi një sulm në zemër më 22.07.2025, të njëjtën ditë kur Ministria e Shëndetësisë lëshoi një vendim që kërkonte ndërprerjen e punëve në ambiente të hapura/jashtme gjatë orëve më të nxehta, për shkak të temperaturave të larta.
Udhëresa, e vlefshme nga 22 deri më 25 korrik 2025, u kërkonte institucioneve publike dhe private të zbatonin masa mbrojtëse për punëtorët dhe “të ndërprisnin punën jashtë mes orës 11:00 dhe 16:00”.
Më 21.07.2025, dy burra në Gjakovë humbën jetën pasi pësuan lëndime në një vendpunishte. Investitori dhe drejtuesi i punishtes u arrestuan në lidhje me rastin.
Policia e Kosovës i tha KALLXO.com se “rreth orës 08:15 jemi informuar se dy persona ishin dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Dyshohet se lëndimet janë marrë në vendin e tyre të punës. Më vonë, është konfirmuar vdekja e tyre.”
Po atë ditë, më 21 korrik, një person i tretë vdiq nga lëndimet e marra ditë më parë në një vend tjetër ndërtimi në Pejë.
Të martën, Inspektorati i Punës njoftoi se kompania e përfshirë në aksidentin në Gjakovë ishte gjobitur dy herë më parë për shkelje të përsëritura të rregullave të sigurisë në vendin e punës.
“Në raportin gjashtëmujor janë realizuar 4,751 inspektime, janë shqiptuar 788 gjoba, 268 aksidente në vendin e punës dhe 7 aksidente fatale që nga janari i vitit 2025” – theksoi Inspektorati i Punës.
Të hënën në mbrëmje, aktivistët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist dënuan heshtjen e shtetit përmes një proteste simbolike, ku shkruan me grafite në ndërtesën e Inspektoratit të Punës: “Punëtorët vdesin, shteti hesht.”
“Humbja e këtyre tre jetëve, e shkaktuar nga kushtet e pasigurta në vendet e ndërtimit, nuk është rastësi – është rezultat i parashikueshëm i një sistemi kapitalist të etur për fitim që operon me lejen e shtetit. Shëndeti dhe siguria janë kthyer në privilegje, të zhveshura nga punëtorët për të maksimizuar fitimin për kompanitë shfrytëzuese,” – shkruan aktivistët në Facebook.
Ata vazhduan duke thënë se “Vdekja e tre punëtorëve është vrasje e paralajmëruar, siç kanë qenë edhe ato të mbi 200 punëtorëve të vdekur në dhjetë vitet e fundit. Nëse shteti do i qëndronte krah punëtorëve, këto vdekje do të parandaloheshin.”
Në prill të vitit 2024, dy punëtorë vdiqën dhe një tjetër u lëndua në incidente të ndara ndërtimi. Edhe atëherë, shkaku u citua si neglizhencë dhe mungesë e protokolleve të sigurisë.
Kur qytetarët bëhen përgjegjës penalë

Përveç punëdhënësve e kompanive, edhe individët privatë që porosisin punë ndërtimi pa kontrata formale mund të përballen me ndjekje penale.
Luan Berisha, nga fshati Qallapek i Pejës, po përballet me një aktakuzë për dështim në sigurimin e kushteve të sigurisë në vendin e punës në pronën e tij. Në vitin 2019, Berisha angazhoi punëtorë për të ndërtuar një tarracë në pronën e tij. Gjatë ndërtimit, një shtyllë betoni ra, duke lënë punëtorin me lëndime serioze dhe në koma për një kohë.
Berisha nuk kishte marrëveshje të shkruar me punëtorin.
Në programin televiziv ‘Kallxo Përnime’, që u transmetua më 20 korrik, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha se “hetimi zbuloi se gjatë ndërtimit nuk kishte masa sigurie. Si rezultat, një punëtor pësoi lëndime serioze. Shpresojmë që kjo aktakuzë të shërbejë si shembull parandalues.”
Berisha i tha Kallxo Përnime se kishte besuar se punëtorët ishin pjesë e një kompanie të regjistruar, duke përmendur “uniformën” si dëshmi.
Sipas raportit te inspektorit të punës, Pashk Vasani, “për aksidentin në vendin e punës dhe lëndimin e shkaktuar, përgjegjës është Luan Berisha si investitor i projektit, për shkak të mungesës së marrëveshjes kontraktuale me ekzekutorin e punës.”
Berisha kundërshtoi duke thënë: “Nuk jam ekspert ndërtimi. Pyeta nëse kompania ishte e regjistruar dhe ata thanë po.”
“Pse nuk e rregullon shteti këtë? Pse qytetarët mbahen përgjegjës?” shtoi ai.
Por Nikçi konfirmoi se në raste ku nuk ka kontratë me kompani të licencuar, ligji mban përgjegjë individët.