Ilustrim
Dezinformimi mbi ndryshimet klimatike nëpër rrjetet sociale
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Warning: Undefined array key 12 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Sado që me numër më të vogël, në rrjetet sociale janë publikuar postime dezinformuese për ngrohjen globale.
Njëjtë sikur në vendet e tjera, edhe dezinformatat në gjuhën shqipe rreth ndryshimeve klimatike synojnë që të ulin besimin në të dhëna shkencore, të mohojnë ekzistencën e ndryshimeve klimatike, e deri tek pretendimet se ngrohja globale është mashtrim i orkestruar.
Shumica e dezinformatave të shpërndara në gjuhën shqipe janë imitim apo kopje të dezinformatave që shpërndahen gjithandej nëpër Europë.
Në rrjetin social në Facebook është formuar një grup me emër “Flat Earth Kosovo Toka e Sheshtë Kosovë”, në të cilin publikohen pretendime se ngrohja globale nuk ekziston dhe se e njëjta “është një mashtrim i madh”.
“Ngrohja globale natyralisht nuk ekziston ka vite qe eshte ndertuar nje makineri e madhe sa tre stadiume bashke dhe ajo ben nxehtesi shum her me te forte se dielli, Direct Energy Weapon.”- thuhej në një pretendim të publikuar më 09.01.2024 në këtë grup.
Më tej, gjatë viteve kanë qarkulluar teori konspirative në lidhje me ndryshimet klimatike të cilat janë shtyrë kryesisht nga konspiracionisti, Alfred Cako.
Në një paraqitje të tij, Cako pretendonte se “të gjitha këto shkrirje të akullnajave janë gënjeshtra të ambientalistëve, [temperatura] nuk është rritur fare, është fare normale. Janë ciklet e motit këto që ndikohen nga shkaqe të tjera të ndryshme dhe nuk kanë lidhje…”.
I njëjti kishte bërë edhe postime të tjera, kryesisht duke i kontestuar studimet shkencore për ngrohjen globale.
Në një tjetër postim (arkiva), Cako vë në dyshim ekzistencën e ngrohjes globale duke argumentuar se shkrirja e akujve nuk do të sillte rritje të nivelit të ujërave.
“Ore, tu bëj një pyetje këtyre kokërrumbullakëve që ju rrotullohet pa ndalim koka dhe që besojnë në ngrohja globale; ore, po të shkrijnë akujt, rritet (siç na thonë) apo bie niveli i ujrave?! Mendohuni mirë dhe ju këshilloj të kini parasysh dy principe: 1- akullnajat kanë rreth 5/7 e volumit nën ujë; 2- uji kur ngrin, e rrit volumin..”- ka shkruar Cako.
Më tej, Cako ironizon me zjarret në Greqi, dhe vë në dyshim ngrohjen globale duke përmendur se në vende të tjera po ndodhin fenomene të kundërta klimatike.
Mohimi i të dhënave shkencore
“Ore ky Zoti ne Greqi po djeg me perzgjedhje keshtu?! Vetem ullinjte?!! Me barin spaska pune?! Ah, kjo ngrohja globale çpo na ben!!! Nr Slloveni po bie debore, nr Itali shirra e permbytje, ne Greqi digjen pemet ushqyese. Prit tani kur te leshohen debilat e te shiturrit e OJF te kerkojne edhe ketu tek ne ligje idiote kunder mbajtjes se kafsheve shtepiake dhe futjen e makinave elektrike, ndalimin e fosileve!!! Dikur na thonin fosilet pas 30 vjetesh do shterin dhe tani na thone se jane te demshme pasi qe shkaktojne ngrohje globale dhe ndotje!!”- ka shkruar ai në një tjetër postim (arkiva).
Mirëpo këto pretendime nuk janë të bazuara në të dhëna shkencore.
Sipas Organizatës së Kombëve të Bashkuara (OKB), ndryshimet klimatike i referohen ndryshimeve afatgjata të temperaturave dhe modeleve të motit, ndërsa që nga viti 1800, aktivitetet njerëzore kanë qenë shtytësi kryesor i ndryshimeve klimatike, kryesisht për shkak të djegies së lëndëve fosile si qymyri, nafta dhe gazi.
Ngrohja globale më pas çon në ndryshime të tjera si thatësira, mungesë uji, zjarre të rënda, rritje të nivelit të detit, përmbytje, shkrirje të akullit polar, stuhi intensive dhe rënie të biodiversitetit.
Pra, fakti se në një vend mund të marrë një dimër i ftoftë nuk e vë në dyshim realitetin e ngrohjes globale, pasi ndryshimet klimatike flasin për klimën në të gjithë globin.
Në raportin e shërbimit Copernicus Climate Change Service (C3S) thuhet se temperaturat ishin mesatarisht për 1.6°C më të larta krahasuar me periudhën para-industriale. Viti 2024 ishte viti më i nxehtë në një seri të dhënash shumëburimore të temperaturave globale që datojnë nga viti 1850.
Kishte edhe postime konspiracioniste, në të cilat pretendohej që zjarret janë duke u shkaktuar nga shteti vetëm për të rritur frikën nga ngrohja globale. Nëpër këto postime pretendohet pa fakte se zjarret shkaktohen nga dronë që shpërndajnë zjarre.
“Planeti është në flakë nga “Ngrohja Globale që bën njeriu” (siç thotë CNN) apo nga këta dronë në shitje të lirë tek Amazon.com për 1200 euro copa? Për një gjë biem dakort të gjithë pra, që zjarret në fund të fundit kanë dorën e njeriut.. mbi tastierë apo pult.”- thuhet në këto postime (shih këtu dhe këtu).
Sipas një studimi të Fondacionit Metamorphosis, skepticizmi ndaj klimës, interpretimet e shtrembëruara dhe manipulimet që përpiqen të kundërshtojnë realitetin e bazuar shkencërisht të ndryshimeve klimatike kanë rrënjë të thella në Ballkanin Perëndimor – Maqedoni të Veriut, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë – përhapja e dezinformimit mbi klimën ndjek ritmin dhe trendet që ekzistojnë tashmë në Bashkimin Europian.
Në raportin e Metamorphosis thuhet se në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën, ekzistojnë rrjete llogarish, shumica e të cilave anonime ose të rreme, të cilat ndajnë rregullisht përmbajtje dezinformuese mbi klimën.
Janë evidentuar artikuj të publikuar edhe në portale (shih këtu dhe këtu), në të cilët pretendohet se tashmë “shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike janë një rrenë e madhe”.
Mirëpo, ndryshimet klimatike janë ndryshime më afatgjate në sistemin klimatik, kryesisht të shkaktuara nga veprimet njerëzore, fakt ky i aprovuar nga më shumë se 99% e punimeve të krijuara shkencore sipas një studimi nga Cornell.
Aktivitetet njerëzore, si gjenerimi i energjisë me lëndë djegëse fosile, ndryshimet në shfrytëzim të tokës, si dhe në preferenca të konsumit, kanë kontribuar në rritjen e emisioneve të gazrave serrë në nivel të paparë.
Dora e Kremlinit
Në ueb-faqen e Komisioni Europian thuhet se dezinformatat rreth ndryshimeve klimatike, ndër të tjera, kanë për synim të pengojnë zbatimin e politikave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mbi ndryshimet klimatike.
Në këtë shkrim janë listuar format e dezinfromatave që janë hasur rreth ndryshimeve klimatike.
“Dezinformimi për klimën mund të shfaqet në forma të ndryshme, nga mohimi i hapur dhe teoritë konspirative deri te dezinformimi më i butë dhe më i fshehtë, i cili synon të krijojë konfuzion duke pretenduar se ndryshimet klimatike nuk janë të shkaktuara nga njeriu ose nuk janë aq të rënda sa thonë shkencëtarët, dhe për pasojë nuk kërkojnë veprime urgjente.”- thuhet në shkrimin e publikuar në ueb-faqen e Komisionit Europian.
Kurse, në një studim të publikuar në faqen climatepromise.undp.org thuhet se dy mund të jenë burimet kryesore që përhapin dezinformim për klimën: aktorë me interesa në industrinë e karburanteve fosile që duan të ruajnë “biznesin si zakonisht” dhe të mbrojnë përfitimet e tyre, si dhe aktorë që synojnë përfitime nga ekonomia e vëmendjes — pra persona ose grupe që publikojnë informacione sensacionaliste ose polemika për të fituar klikime, reklama, influencë ose mbështetje politike.
Kurse, në faqen EUvsDisinfo janë identifikuar 122 raste të postimeve me përmbajtje dezinformuese për ndryshimet klimatike, që kryesisht burimin e kanë tek mediat e kontrolluara nga Kremlini.
EUvsDisinfo është projekti kryesor i East StratCom Task Force, e themeluar në vitin 2015 për të identifikuar, analizuar dhe zbuluar fushata dezinformimi, në veçanti nga burime pro‑Kremlinit, që synojnë të manipulojnë perceptimet në Europë dhe më gjerë.
Në një nga këto shkrime dezinformuese të identifikuara nga platforma EUvsDisinfo, thuhet se Marrëveshja e Parisit, e miratuar më 12.12.2015 gjatë Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP21) në Paris, kishte për qëllim kryesor dëmtimin e ekonomisë dhe energjisë së Rusisë.
Por siç argumenton EUvsDisinfo, Marrëveshja e Parisit nuk ishte e krijuar për të shënjestruar asnjë vend, por kishte synim të frenonte ndryshimet klimatike duke reduktuar emetimet e gazrave serrë.
Çfarë thonë ekspertët?
Ndërkohë, konspiracione mbi ngrohjen globale, mohimi i ndryshimeve klimatike dhe paraqitja e investimeve në ekonominë e gjelbër si të pavlefshme janë disa nga narrativat dezinformuese që synojnë të minojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës me orientim europian.
Viktor Berishaj, ekspert i politikave mjedisore, thotë se efektet e ngrohjes globale ndihen gjithnjë e më shumë, por dezinformimi që pretendon se ajo nuk ekziston vjen nga kompani interesi i të cilave lidhet me nxjerrjen, përpunimin dhe tregtimin e lëndëve djegëse fosile.
“Përhapja e lobimit bëhet me formën e dezinformatave, të cilat vazhdimisht i shërbejnë një agjende. Kjo agjendë kryesisht vjen prej interesave të ngushtë ekonomikë, dhe interesave të ngushta, shkurtpamëse të politikëbërësve në botë”- thotë ai.
Konspiracionet rreth ngrohjes globale dhe dezinformimi që diskrediton ekonominë e gjelbër krijojnë gjithashtu hapësirë për gabime në planifikimin strategjik.
Linda Çadvarbasha, aktiviste mjedisore dhe ish.zv.ministre e Mjedisit (2021–2023), beson se konspiracionet rreth ngrohjes globale u shërbejnë atyre që nuk duan të investojnë në mjedis, si investitorët e mëdhenj industrialë në termocentrale, të cilët e mohojnë ndryshimin klimatik si konspiracion.
Ajo përfundon se investimi në mjedisin e Kosovës nuk është prioritet, dhe jo mjaft njerëz besojnë se çështjet mjedisore ndikojnë ndjeshëm në jetën e tyre.
“Besimi apo mosbesimi varet nga industria të cilën ata e punojnë ose e mbrojnë”- thotë ajo.
Avni Mazreku, këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Mjedisit vuri në dukje se mediat dhe platformat sociale përhapin dezinformimin.
“Kemi konspiracione që ta zëmë, energjia solare apo paneli solar po shkakton kancer apo është shumë i dëmshëm, ka radiacion. Kemi edhe grupe që në fakt nuk kanë ndonjë prapavijë interesi të caktuar, mirëpo vetëm është një lloj besimi absurd për një temë dhe mbahen mbi atë temë, dhe pastaj ajo ka një efekt kaskade të mendimit”- shtoi ai.
Si përfundim, sipas Viktor Berishajt, në një botë të globalizuar, fuqia e shteteve nganjëherë mbivlerësohet krahasuar me atë të korporatave dhe konglomerateve që kontrollojnë burimet natyrore.
“Niveli i zhvillimit ekonomik në shoqëri tregon se sa hapësirë ka ajo shoqëri për dezinformata rreth ndryshimeve klimatike, sidomos tek ato vende që janë në zhvillim apo të pazhvilluara, ku fokusi është në mbijetesë dhe ekonomi.”- përfundoi ai.
Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.