I suspenduar nga shkolla për tre muaj, nxënësi në Ferizaj nuk po ndjek mësim alternativ
Warning: Undefined array key 11 in /home/kallxo/public_html/wp-content/themes/kallxo_wp_2019/inc/shortcodes.php on line 403
Nëna e një nxënësi në Ferizaj është e shqetësuar për suspendimin e fëmijës së saj nga shkolla për tre muaj dhe pretendon se kjo masë disiplinore është maksimale dhe u mor pa u shterur masat e tjera më të lehta.
Sipas vendimit të shkollës, nxënësi është suspenduar për shkak të 61 mungesave pa arsye, katër vërejtjeve me shkrim dhe dhunës fizike ndaj një nxënësi në klasë.
Nga data 19.11.2025, nxënësi nuk është duke vijuar mësim alternativ në një shkollë tjetër, gjatë periudhës së suspendimit, siç parashihet në udhëzimin administrativ 06/2014 të Ministrisë së Arsimit.
“Më datën 19.11.2025 iu ka shqiptuar masa djalit për suspendim tre muaj d.m.th. iu ka shqiptu një masë maksimale. Pas një ore, djali më thirr shumë i shqetësuar, thot: “Mam, më larguan nga shkolla”. “Po për çfarë arsye?” Thot: “Nuk e di mam. Orën e parë kam pasë edukatë fizike, e kemi kry, mandej kujdestarja e klasës tha: ‘Mbledhi senet e tua, çantën, uniformën edhe je i suspenduar për tre muaj’“ – ka treguar nëna e nxënësit.
Ekipi i KALLXO.com ka parë në ditarin e klasës vërejtjet me shkrim për nxënësin dhe disa nga mungesat e tij.
Drejtoria e shkollës i tha KALLXO.com se nxënësi në muajin shtator dhe tetor nuk e kishte ndjekur praktikën profesionale dhe kishte bërë mungesa.
Sipas tyre, ata i kanë marrë të gjitha masat disiplinore si vërejtjet gojore, vërejtjet me shkrim, deri te suspendimi i nxënësit, si dhe e kishin njoftuar prindin për çdo mungesë, sjellje të nxënësit. Ndërsa, të kundërtën e tha prindi.
Afrim Llabjani, drejtori i Arsimit në Ferizaj, tha për KALLXO.com se nuk ishte në dijeni për masën e suspendimit ndaj nxënësit dhe konsideron se shkolla është kompetencë e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional.
Por, premtoi se do të interesohen t’ia mundësojnë nxënësit mësimin alternativ.
“Unë nuk e di tash edhe masa e suspendimit si është, mbi bazën e çkafit është shkaktu edhe cilat kanë qenë arsyet që iu ka ba ajo masë, do të thotë duhet të jetë goxha shkaktar, duhet të ketë shumë arsye të fortë për me e largu fëmijën 45 ditë, d.m.th. është masa ma e lartë e shqiptuar brenda shkollës që bëhet” – ka deklaruar Llabjani.
Kurse, Fikrije Zymberi, drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional e Ministrisë së Arsimit i ka thënë KALLXO.com se vendimi për suspendimin e nxënësit është marrë duke iu përmbajtur udhëzimit administrativ 06/2014.
Prindi ishte ankuar ndaj vendimit në këtë Agjenci më 26.11.2025, por ata e kanë shqyrtuar si ligjërisht të pabazuar më 01.12.2025 pasi kanë përmendur se nxënësi nuk ishte përmirësuar dhe kishte vazhduar me sjellje jo të mira dhe kishte pasur mbi 200 mungesa të paarsyeshme edhe vitin e kaluar. Kështu, ajo është ankuar ndaj vendimit të Agjencisë në Inspektorat të Arsimit.
“Pas shqyrtimit të rregullave, është e qartë që vendimi i nënshkruar nga X.X., u.d. drejtoreshë, është i paligjshëm sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, duke qenë se ajo ka tejkaluar afatin për ushtrues detyre të drejtorit. Kjo do të kërkojë një shqyrtim të mëtejshëm dhe mundësinë e anulimit të vendimit.” – është përgjigjur Zymberi.
Zymberi ka theksuar se nxënësi duhet ta ndjekë mësimin alternativ dhe duhet ta sigurojë vetë duke marrë një fletëkalim nga shkolla dhe i drejtohet një shkolle tjetër ku ofrohet profili i ngjashëm.
Dy ditë pas suspendimit, prindi ishte ankuar në Inspektorat të Arsimit, të cilët i thanë KALLXO.com se më 24.11.2025 i janë përgjigjur që ankesën ndaj vendimit të suspendimit në realitet duhet ta bëjë në Këshill të shkollës dhe pastaj në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional, sipas udhëzimit administrativ 06/2014.
Dhe për mosvijimin e mësimit alternativ, Inspektorati vlerëson se është dashur që nxënësi të sistemohet në ndonjë shkollë tjetër të profilit të njëjtë.
Një ditë para suspendimit, më 18.11.2025, prindi tregoi se djali i saj kishte pasur konflikt me një nxënës në klasë. Më pas, e kishte dërguar për trajtim te një psikolog klinik, i cili përmes një raporti ka rekomanduar që nxënësi të mos shkojë në shkollë deri në dhjetor të këtij viti dhe gjatë kësaj kohe të transferohet në një shkollë tjetër.
Nëna e nxënësit pretendon se ka bërë kërkesë për transferimin e djalit të saj në një shkollë tjetër, por u.d. drejtoresha tha se nuk e ka pranuar as fizikisht, as përmes email-it këtë kërkesë. Por, kujtoi se prindi e kishte përmendur në takimin që kishin zhvilluar më 11.11.2025 me u.d. drejtoreshën.
Kur është pyetur nëse do të lejojë që nxënësi ta vazhdojë mësimin në atë shkollë, ajo ka thënë se nuk e di dhe se duhet të vazhdojë me udhëzimet e psikologut, pasi mendon për shëndetin e fëmijës.
Kurse, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional e Ministrisë së Arsimit i ka thënë KALLXO.com se raportin e psikologut klinik e kanë marrë në konsideratë, nxënësi nuk duhet të presë për transferim dhe duhet të bëhet menjëherë.
Në rastin e konfliktit, prindi pretendon se kujdestarja e klasës e kishte ballafaquar nxënësin me prindin e nxënësit që kishte pasur konflikt.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së shkollës ka deklaruar për KALLXO.com se prindi i shokut e kishte raportuar rastin në Polici, të cilët më pas e kishin shoqëruar nxënësin në stacion, pasi pretendohet se kishte ikur nga Policia përmes dritareve të klasës.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se ishte raportuar rasti si “Ngacmim” dhe me urdhër të prokurorit nxënësi ishte intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Rasti është ende duke u hetuar.
Se pse e kishin lejuar prindin të ballafaqohej me nxënësin, u.d. drejtoresha e shkollës tha se “në deklaratën e prindit të X.X. ia lënë përgjegjësinë kujdestares së klasës, të kujdeset sikur për fëmijën e vet.”
Para suspendimit të nxënësit, drejtoria e shkollës thuhet se kishte pasur dy takime me prindin e tij, dhe në procesverbalin e takimit të parë shkruan se ai ishte ballafaquar me u.d. drejtoreshën e shkollës.
“Më datën 04.11.2025 është në procesverbal ku djali ka konstatu edhe ka kërku prej drejtoreshës që ta trajtojnë edhe mos ta nxisin. Thot – unë po dua me ndryshu po shkolla nuk po më len.” – ka thënë nëna e nxënësit.
Sipas u.d. drejtoreshës së shkollës nxënësi fjalët “unë po dua me ndryshu po shkolla nuk po më len” i kishte thënë pasi kishte pasur një rast me një mësimdhënëse, e cila i kishte kërkuar ta vishte uniformën e shkollës.
Rasti kishte ndodhur më 21.10.2025 dhe nxënësi e kishte raportuar në Polici për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Pas hetimeve, Prokuroria Themelore në Ferizaj e ka konfirmuar se rasti është mbyllur.
U.d. drejtoresha tha se kanë videoincizime në të cilat shihet se nxënësi e ka shtyrë mësimdhënësen.
Një vit më parë, ky nxënës e kishte përsëritur vitin për shkak të suksesit me 7 nota të dobëta. Edhe në këtë rast, nëna e tij pretendon se shkolla kishte vepruar padrejtësisht, ndërsa ai ishte bullizuar nga nxënësit e tjerë.
Para se ta përsëriste vitin, ajo thot se djali veçse kishte kryer praktikën, prandaj nuk i kishte ndjekur orët e praktikës dhe nuk kishte pasur mundësi të udhëtojë te biznesi ku duhej ta kryente praktikën.
Kurse, u.d. drejtoresha tha se e kishin njoftuar prindin me kohë për përsëritjen e vitit shkollor dhe sipas saj, disa mësimdhënës i kishin dhënë mundësinë që të vlerësohej, por nuk ishte interesuar.
Prindi ishte ankuar në Inspektorat të Arsimit për shkollën, të cilët më pas e kishin inspektuar dhe kishin konstatuar më 27.09.2024 se shkolla nuk e kishte krijuar Ekipin për Parandalim dhe Reagim ndaj Braktisjes dhe Mosregjistrimit të Nxënësve në arsimin parauniversitar, dhe nxënësit nuk i kishin dhënë mbështetje profesionale për mungesat në procesin mësimor.
Për raportin e Inspektoratit të Arsimit të vitit 2024, nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional premtuan se do të kërkojnë shpjegime nga u.d. drejtoresha se pse nuk ishte formuar me kohë ekipi profesional për nxënësin, dhe e pranojnë se kjo mangësi ka ndikuar në trajtimin e rastit.
“E kemi pasë komisionin disiplinor të shkollës, nuk e kemi pas ekipin e themeluar. Edhe me këshillën e inspektoratit e kemi themelu. Në këtë rast nuk e kemi pasë bashkëpunimin e mirë me prindin. Gjithmonë na ka akuzu si shkollë, gjithmonë na ka shantazhu si shkollë.” – ka thënë u.d. drejtoresha e shkollës.
Në vitin 2023, prindi pretendon se djali i saj pas dy muajsh që kishte filluar mësimin, ishte suspenduar nga shkolla tri ditë meqë kishte hyrë në shkollë përmes shkallëve emergjente, sepse ishte vonuar disa minuta për orën e mësimit.
Në atë vit, sipas prindit, nxënësi ishte angazhuar me aktivitete sportive dhe e kishin njoftuar shkollën për mungesat.
U.d. drejtoresha e shkollës deklaroi se në atë kohë edhe tre nxënës tjerë ishin suspenduar njësoj pasi po ashtu kishin hyrë në shkollë përmes shkallëve emergjente.
Më 23.08.2023, Agjencia e kishte hedhur poshtë ankesën e prindit ndaj masës së suspendimit të nxënësit, duke përmendur se nxënësi kishte pasur mungesa të shumta dhe kishte vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ 06/2014 dhe rregullat e shkollës.
Sipas nenit 5 të UA 06/2014 ndaj nxënësit mund të merren këto masa disiplinore: vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim, pezullim i përkohshëm nga garat, ekskursionet, vizitat e shëtitjet, pezullim i përkohshëm deri në 3 ditë, si dhe pezullim i përkohshëm prej 1 deri 3 muaj.
Sipas nenit 11, për të gjitha masat e marra duhet të njoftohet prindi dhe të merren informatat se prindi është në dijeni. Masat duhet të shënohen në ditar dhe procesverbal.
Në nenin 10 flitet për pezullimin nga shkolla 1 deri 3 muaj, pezullimi për 1 muaj i shqiptohet nxënësit që nuk përmirësohet edhe pas shqiptimit të masave paraprake. Kurse pezullimi 1 deri 3 muaj i shqiptohet nxënësit që bën sjellje të dhunshme dhe nuk lejon vazhdimin e procesit arsimor të nxënësve tjerë, që mungon mbi 32 orë mësimi pa arsye.