Paraburgim ndaj të dyshuarit se kërkoi 40,000 euro për të ndikuar te gjyqtarë dhe prokurorë
Gjykata e Ferizajit, më 21.02.2025, ka njoftuar se e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit A.L., për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.
“Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën ‘ushtrimi i ndikimit’, nga Neni 424 Paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.
KALLXO.COM dje, më 20.02.2025, ka raportuar se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.L.
Sipas njoftimit te Prokurorisë së Ferizajit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 17.03.2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L., në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar para për vete që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.
Tutje, në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas arrestimit të të pandehurit E.S. dhe caktimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës ishte takuar me vëllain e të pandehurit, prej të cilit kishte kërkuar 40,000 euro para që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë: gjyqtarë e prokurorë, për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E. S., i cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Lidhur me rastin, KALLXO.com merr vesh se i arrestuari i cili dyshohet se kishte kërkuar 40,000 euro ryshfet për të ndikuar në ndërprerjen e paraburgimit ndaj një të dyshuari për fajde është A.Lajçi, mjek me profesion, i cili para disa javësh e ka përfunduar specializimin në QKUK.
KALLXO.com ka kërkuar të marrë një përgjigje zyrtare nga zyrtarët e QKUK-së, por ata kanë konfirmuar vetëm se i dyshuari ka qenë specializant dhe nuk është i punësuar në QKUK, e as SHSKUK dhe Kontratën si specializant e ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë; si dhe, Kontrata i ka skaduar para disa javësh.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Ferizaj
Ferizaj, më 21 shkurt 2025 – Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën “ushtrimi i ndikimit”, nga Neni 424 Paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Sahit Krasniqi ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se më 17 mars 2023, në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për vete, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pas arrestimit të të pandehurit E.S. dhe caktimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës është takuar me vëllain e të pandehurit G.Z., prej të cilit ka kërkuar katërdhjetë mijë (40.000) euro para, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë: gjyqtarë e prokurorë, për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S., i cili gjendej në Q.P.Gj, sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar se do të ketë kryer veprën penale “fajdeja”, nga Neni 331 Paragrafi 3 i KPRK-së dhe veprën penale “shmangia nga tatimi”, nga Neni 307 Paragrafi 3 i KPRK-së, edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar.
Gjyqtari i procedurës paraprake Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform Dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Me këtë rast palët njoftohen se Ankesa kundër këtij Aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.