Lirohet nga spitali i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, Gjykata e dërgon në paraburgim për 30 ditë
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Astrit Isufit, të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në fshatin Golluboc të Malishevës, më 06.11.2025.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar për KALLXO.com, Lekë Muqaj, zëdhënësi i Gjykatës në Gjakovë.
“Është mbajtë sot seanca dëgjimore në Prishtinë, në QKUK, për shkak se personi ka qenë me lëndime… Gjykata para dhjetë minutash e ka nxjerr vendimin, e ka caktu paraburgimin për një muaj ditë për dy vepra penale për vrasje të rëndë edhe për armëmbajtje pa leje.” – tha Muqaj, më 08.11.2025.
Sipas Muqajt, koha e paraburgimit të Isufit llogaritet prej kohës së arrestimit të tij, nga data 07.11.2025 deri më 06.12.2025.
Isufi ka qenë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pasi ishte plagosur, pas rastit tragjik që ndodhi më 06.11.2025.
Ai është liruar nga QKUK të shtunën, më 08.11.2025.
“Po është liruar nga spitali.” – ka thënë Sheremet Elezaj, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës për KALLXO.com, më 08.11.2025.
Prokuroria e Gjakovës njoftoi më 07.11.2025, se ndaj të pandehurit, Astrit Isufi, i dyshuar për vrasjen e miqve të tij (dy vëllezërve të bashkëshortes së tij) në Golluboc të Malishevës, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.
Ngjarja tragjike ka ndodhur më 06.11.2025, rreth orës 11:25.
Në njoftim, Prokuroria e Gjakovës ka përshkruar se si ka ndodhur ngjarja.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve Naim dhe Driton Morina, ka shkuar te shtëpia e të ndjerëve për ta marrë gruan e tij (motër e viktimave), dhe fëmijët.
https://kallxo.com/lajm/i-dyshuari-per-vrasjen-e-dyfishte-ne-malisheve-e-kishte-rrahur-gruan-e-tij-brutalisht-ne-festen-e-bajramit/
Sipas përshkrimit, gruaja e tij kishte shkuar te familja e saj pasi pak ditë më herët i kishte vdekur babai.
Tutje, Prokuroria thekson se gjatë largimit të të pandehurit nga shtëpia e tanimë viktimave, e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, në rrugë fillon një fjalosje mes të pandehurit dhe viktimave.
Sipas Prokurorisë, në momentin kur bashkëshortja e të pandehurit përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj, duke shtënë disa herë me armë të llojit pistoletë “TT” në drejtim të vëllait të saj, tani të ndjerit Driton Morina, e më pas ka shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj, tani të ndjerit Naim Morina.
Viktimat, thekson Prokuroria, nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrirë përtokë.
I pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF në Kijevë pa shenja jete.
Ai u arrestuar më 07.11.2025.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale – vrasje e rëndë dhe – armëmbajtje pa leje.
“I pandehuri që nga data 7 nëntor 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekura”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë, më 07.11.2025.