Kryetari Emmanuel Riotte (i katërti nga e majta) gjatë vizitës në maternitetin e qytezës Saint-Amand-Montrondit. Foto: Faqja zyrtare e qytezës në Facebook
Kryetari i një qyteze franceze ua ofron nga një mijë euro nënave që t’i lindin fëmijët në spitalin lokal
Emmanuel Riotte shpreson se “shtesa e lindjes” do ta mbajë të hapur repartin e maternitetit të spitalit të Saint-Amand-Montrondit në Francë – por sindikatat e mjekëve e kundërshtojnë skemën, raporton gazeta britanike, “The Times”.
Kryetari i një qyteze të vogël franceze po ua ofron grave nga një mijë euro për lindje në spitalin lokal, por sindikatat e mjekëve thonë se skema, që synon të shpëtojë repartin e maternitetit nga mbyllja, mund të rrezikojë pacientët.
Reparti i maternitetit i spitalit të Saint-Amand-Montrond, në Francën qendrore, përballet me rrezikun e mbylljes për shkak se ka më pak se 300 lindje në vit, minimumi i kërkuar sipas legjislacionit për të racionalizuar kapacitetet mjekësore.
Mathieu Briere, anestezist dhe zëdhënës i sindikatës së mjekëve, ka deklaruar: “Kur dëgjova për herë të parë për këtë skemë, mendova se ishte shaka. Kur e kuptova se po ndodhte në të vërtetë, u trondita dhe u shqetësova. Repartet e vogla të maternitetit mund të kenë një reputacion të mirë lokal, por ato nuk mund të garantojnë të gjithë ekspertizën dhe mjediset për t’u marrë me ndërlikimet ose problemet. Siguria e nënave dhe foshnjave duhet të jetë rend të parë”.
Emmanuel Riotte, kryetar konservator, paraqiti planin për një “shtesë lindjeje” që gratë të mos detyrohen të udhëtojnë në spitale të tjera larg shtëpive të tyre. Paratë ndahen në formën e kuponave që mund të shpenzohen në dyqanet lokale.
Ai shpreson t’i inkurajojë gratë e rrethinës të zgjidhnin Saint-Amand-Montrondin në vend të reparteve më të mëdha të maternitetit në qytete të tjera. Më i afërti është në Bourges, rreth 40 minutash larg me makinë.
Moulay Mansouri, drejtuesja e departamentit të gjinekologjisë në Saint-Amand-Montrond, ka theksuar: “Është e rëndësishme ta mbajmë repartin tonë të maternitetit të hapur. Ai përmbush një nevojë reale pasi alternativa më e afërt është mjaft larg”.
Megjithatë, katër sindikata mjekësh kanë paralajmëruar se siguria e pacientëve mund të vihet në rrezik. “Kur një departament materniteti kërcënohet me mbyllje, kjo nuk ndodh për arsye ekonomike, por për arsye sigurie”, kanë reaguar bashkërisht sindikatat, që përfaqësojnë anestezistët, obstetërit, pediatrit dhe mjekët e urgjencës.
Departamenti i maternitetit i Saint-Amand-Montrondit parashikohet t’i ketë sivjet 226 lindje, të cilat sindikatat thonë se janë shumë pak që të sigurohet “ekspertizë e mjaftueshme për të parandaluar dhe trajtuar ndërlikimet potencialisht kërcënuese për jetën që përgjithësisht përfshijnë disa specialitete që punojnë së bashku dhe kërkojnë vendime të menjëhershme … Zgjedhja e një departamenti materniteti nuk duhet të ndikohet nga perspektiva e një shpërblimi thjesht financiar”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com