Polici i Njësisë Speciale, Murat Latifi, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës e armëmbajtje pa leje- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Policit të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare i zgjatet masa e paraburgimit edhe për 30 ditë
Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar edhe një muaj paraburgim Murat Latifit, policit të Njësisë Speciale, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës, zbulim të fshehtësisë zyrtare e posedim të paautorizuar të armëve.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Hateme Haxhaj, zëdhënëse e kësaj Gjykate, e cila tha se kjo masë do të zbatohet nga data 3 nëntor deri më 3 dhjetor të këtij viti.
“Masa e paraburgimit ndaj të pandehurit M.L., është vazhduar edhe për një muaj, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”- potencoi ajo.
Kjo masë erdhi pasi që Latifi ishte edhe dy muaj të tjerë në paraburgim.
Murat Latifi, polic i Njësisë Speciale Operative është arrestuar nën dyshimin se kishte ofruar të dhëna apo informacione të brendshme policore për disa raste në të cilat ishin duke u hetuar disa anëtarëve të familjes Gërbeshi nga Vushtrria.
Me këto veprime, polici special dyshohet se kishte nxjerrë edhe informacione konfidenciale të policisë të cilat konsiderohen zyrtare.
Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se kishte arrestuar Murat Latifin, më 03.09.2025 dhe kishte kryer bastisje në shtëpinë e tij në Vushtrri.
Deri te arrestimi erdhi pas një hetimi, bashkëpunim mes IPK-së dhe Policisë së Kosovës.
Informacionet që dyshohet se ndau apo shpërndau polici Latifi ishin për anëtarët e familjes Gërbeshi, një familje e cila kohët e fundit ka pasur disa raste të raportuara në polici për veprime kriminale.
Një informacion tjetër që ka mësuar KALLXO.com është edhe se Latifi dyshohet se në një rast ndihmoi një anëtar të familjes Gërbeshi që të arratisej nga vendi i ngjarjes në një rast të ndodhur muaj më parë në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë.
Të shtëna armësh në atë rast ishin raportuar në lagjen “Arbëria”, ndërsa dyshimet që kanë tashmë edhe hetuesit e IPK-së tregojnë se Latifi pretendohet se ishte në të njëjtën veturë me dorasin e të shtënave e që i përkiste familjes Gërbeshi nga Vushtrria.
Polici që bën pjesë në divizionin e Njësive Speciale u hetua për një periudhë kohore dhe të mërkurën në mbrëmje u arrestua dhe u shoqërua nga policia për intervistim.
Në kuadër të veprimeve hetimore, IPK kreu edhe një bastisje në shtëpinë e policit special në Vushtrri.
Të njëjtit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale për keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje.
IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit.
https://kallxo.com/lajm/arrestohet-nje-polic-special-dyshohet-per-keqperdorim-te-detyres-e-armembajtje-pa-leje/