Prokuroria e Ferizajt
Dyshohet se kërkoi 40,000 euro për të ndikuar te gjyqtarë dhe prokurorë - Prokuroria e Ferizajt kërkon 30 ditë paraburgim
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot, më 20.02.2025, se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.L.
I njëjti dyshohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.
I pandehuri A.L., që nga data 19.02.2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.
Në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 17.03.2023, në Prishtinë i pandehuri A. L., në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar para për vete që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.
Tutje, në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas arrestimit të të pandehurit E.S. dhe caktimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës ishte takuar me vëllanë e të pandehurit, prej të cilit kishte kërkuar 40,000 euro para që të ushtronte ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë: gjyqtarë e prokurorë për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E. S., i cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Ferizaj
Kërkohet paraburgim për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”
Ferizaj, më 20 shkurt 2025 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit A.L., nga Komuna e Pejës, për shkak të dyshimit për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” – sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar se më 17.03.2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L., në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për vete që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pas arrestimit të të pandehurit E.S. dhe caktimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës është takuar me vëllain e të pandehurit, prej të cilit ka kërkuar 40.000 euro para se të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë: gjyqtarë e prokurorë për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S., cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “fajdeja “ dhe “shmangia nga tatimi” të KPRK-së, edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar, andaj me këtë i pandehuri A.L. do të kryente veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga Neni 424 Paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri A.L., që nga data 19.02.2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.