YouTube zotohet të zbatojë ndalimin e mediave sociale për tinejxherët në Australi
YouTube i Google ka ndarë një “përditësim zhgënjyes” për miliona përdorues dhe krijues australianë përmbajtjesh të mërkurën (03.12.2025), duke njoftuar se do të zbatojë ndalimin e mediave sociale për adoleshentët, vendimi i parë i ngjashëm në botë, duke i mbyllur brenda disa ditësh llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç, raporton Reuters.
Vendimi u jep fund mosmarrëveshjeje ndërmjet gjigantit të internetit dhe qeverisë australiane, e cila fillimisht e përjashtoi YouTube nga kufizimi i moshës, duke iu referuar përdorimit të saj për qëllime edukative. Google kishte thënë se po merrte këshilla ligjore se si t’i përgjigjej masës ndaluese.
“Shikuesit tani duhet të jenë 16 vjeç ose më të mëdhenj për regjistrim në YouTube”, ka njoftuar kompania në një deklaratë.
“Ky është një përditësim zhgënjyes për t’u ndarë. Ky ligj nuk do ta përmbushë premtimin e tij për t’i bërë fëmijët më të sigurt në internet dhe, në fakt, do t’i bëjë fëmijët australianë më pak të sigurt në YouTube”.
Ndalimi australian po përcillet nga afër nga juridiksione të tjera që po shqyrtojnë masa të ngjashme të bazuara në moshë, duke krijuar një precedent të mundshëm global për mënyrën sesi gjigantët e teknologjisë, kryesisht amerikanë, që qëndrojnë pas platformave më të mëdha, të balancojnë sigurinë e fëmijëve me qasjen në shërbimet digjitale.
Qeveria australiane thotë se masa u përgjigjet provave në rritje se platformat nuk po bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e dëmshme.
YouTube ka theksuar se çdo përdorues nën 16 vjeç do të çregjistrohet automatikisht nga llogaria e tij/saj që nga 10 dhjetori, që do të thotë se nuk mund të regjistroheshin, të pëlqejnë ose të komentojnë postimet, megjithëse mund ta shohin ende përmbajtjen pa qenë të çaktivizuar.
Kjo nënkupton se krijuesit e përmbajtjes nën moshën 16-vjeçare gjithashtu nuk mund të identifikohen ose të postojnë. YouTube nuk ka treguar sesi do ta verifikojë moshën e dikujt.
Kompania gjithashtu ka përsëritur qëndrimin se ndalimi nuk do ta bëjë internetin më të sigurt dhe ka theksuar në një email drejtuar kujdestarëve të përdoruesve nën moshën 16-vjeçare se “kontrollet prindërore funksionojnë vetëm kur para-adoleshenti ose adoleshenti juaj është i kyçur, kështu që cilësimet që keni zgjedhur nuk do të zbatohen më”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com