FOTO: FACEBOOK, CHARLIE KIRK
Vrasja e Charlie Kirk, ekspertët thonë se polarizimi online po nxit dhunën politike
Ndërkohë po vazhdon aksioni për gjetjen dhe kapjen e vrasësit të aktivistit konservator dhe aleatit me ndikim të presidentit amerikan, Donald Trump, Charlie Kirk, i cili vdiq pasi u qëllua të mërkurën (10.09.2025) në kampusin e një universiteti në Utah, raporton BBC.
Dy persona që u arrestuan janë liruar tashmë. Zyrtarët thonë se ata “nuk kanë lidhje aktuale” me të shtënat. Liderët lokalë janë zotuar se nuk do të lejojnë assesi që të ketë dhunë e vrasje politike për shkak të pikëpamjeve të ndryshme të njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Trump ka thënë se është mërzitur shumë për vrasjen e Kirkut, 31 vjeç, i cili në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare kishte themeluar grupin konservator, “Turning Point USA”. E ka quajtur ditë të errët për Shtetet e Bashkuara.
Sulmet ndaj figurave politike, vendeve të kultit dhe racave ose etnive kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara për dekada të tëra, por profesionistët dhe ekspertët e zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar për njëfarë kohe se mjedisi aktual është veçanërisht i rrezikshëm, raporton Reuters.
Tre vjet më parë, gjuha e urrejtjes në internet u përmend si faktor që kontribuoi në sulmin që plagosi bashkëshortin e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
“Ndërsa qëllimi mund të jetë mobilizimi i bazës politike ose gjenerimi i vlerësimeve, ai gjithashtu shton paqëndrueshmërinë e mjedisit kërcënues”, kishte deklaruar atëherë John Cohen, ish-koordinator kundër terrorizmit dhe kreu i inteligjencës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.
Disa ekspertë kanë frikë se vrasja e Kirkut do ta thellojë edhe më shumë përçarjen dhe se mund të sjellë trazira politike në SHBA.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, SHBA-ja shënoi rreth 150 sulme të motivuara politikisht, ka thënë Mike Jensen, studiues në Universitetin e Merilendit.
Kjo shifër është pothuajse dyfishi i numrit të sulmeve të motivuara politikisht gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, bazuar në bazën e të dhënave të Universitetit që ka përcjellë dhunën e tillë që nga viti 1970.
Ekspertët e terrorizmit vendas përmendin një mori faktorësh për rritjen e dhunës: pasigurinë ekonomike, ankthin për ndryshimin e demografisë racore dhe etnike, dhe tonin gjithnjë e më nxitës të diskursit politik.
Që nga rikthimi në detyrë, presidenti Trump ka zvogëluar përpjekjet për të luftuar ekstremizmin vendas, duke ridrejtuar burimet drejt zbatimit të ligjit për imigracionin dhe duke përmendur kufirin jugor si kërcënimin kryesor të sigurisë.
“Kjo është një administratë që, pavarësisht nëse jeni dakord me të apo jo, ka bërë ndryshime të thella në këtë vend në tetë muajt sa është në detyrë”, ka thënë Jensen.
“Disa njerëz e duan, disa njerëz e urrejnë. Njerëzit që e urrejnë po fillojnë të veprojnë keq. Njerëzit që e duan do të veprojnë keq kundër atyre njerëzve që e urrejnë, dhe kjo bëhet një spirale e egër që mund të na çojë në diçka vërtet, vërtet të keqe”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com