Foto: Donald J. Trump / Facebook
Trump u bën thirrje kongresistëve republikanë të votojnë për publikimin e dosjeve Epstein
Presidenti amerikan, Donald Trump, për ndryshim nga qëndrimi i tij i mëhershëm, u ka bërë thirrje republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që të votojnë për publikimin e dosjeve të Epsteinit, raporton BBC.
“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e dosjeve të Epsteinit, sepse nuk kemi asgjë që të fshehim” – ka shkruar Trump në Truth Social të dielën në mbrëmje sipas kohës lokale amerikane.
Ndryshimi i madh i qëndrimit të Trumpit vjen pasi potencialisht dhjetëra republikanë sinjalizuan se ishin të gatshëm të ndërronin mendje dhe të votonin për publikimin e dokumenteve.
Pritet që Dhoma e Përfaqësuesve të votojë gjatë javës për legjislacionin që do ta detyronte Departamentin e Drejtësisë që të publikonte dosjet. Mbështetësit e projektligjit duket se kanë vota të mjaftueshme që ai të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithëse nuk është e qartë nëse do të kalojë në Senat.
Presidenti Trump gjithashtu do të duhej të nënshkruante publikimin e dokumenteve nëse kalon në të dyja dhomat.
Si demokratët ashtu edhe disa republikanë e kanë mbështetur legjislacionin.
Përfaqësuesi republikan, Thomas Massie, bashkë-sponsor i projektligjit, ka thënën në një intervistë për ABC Newsin të dielën se deri në 100 republikanë mund të votojnë për publikimin e dosjeve.
I njohur si ‘Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein’, qëllimi i projektligjit është që Departamenti i Drejtësisë të publikojë të gjitha të dhënat, dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore të paklasifikuara të lidhura me financuesin pedofil, Jeffrey Epstein.
Trump e ka postuar deklaratën menjëherë pas uljes në bazën Andrews pas një fundjave në Florida.
“Departamenti i Drejtësisë tashmë i ka dorëzuar publikut dhjetëra mijëra faqe mbi “Epsteinin”, po shqyrton operativë të ndryshëm demokratë (Bill Clinton, Reid Hoffman, Larry Summers, etj.) dhe marrëdhënien e tyre me Epsteinin, dhe Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve mund të ketë çfarëdo që i takon ligjërisht, nuk më intereson!” – ka shkruar Trump.
Referenca e Trumpit ndaj Clinton vjen pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë ka konfirmuar se do të hetojë lidhjet e dyshuara të Epsteinit me banka të mëdha dhe disa demokratë të shquar, përfshirë ish-presidentin e SHBA-së.
Emrat e Hoffmanit, i cili është themeluesi i LinkedIn dhe donator i shquar demokrat, dhe Summers, sekretari i Thesarit i ish-presidentit Bill Clinton, u shfaqën njashtu në njoftim.
Një përfaqësues i Summers i ka deklaruar “Wall Street Journalit” në vitin 2023 se ish-zyrtari “ndjen keqardhje të thellë që ka qenë në kontakt me Epsteinit pas dënimit të tij”.
Trump ka thënë se do t’i kërkojë prokurores së përgjithshme, Pam Bondi, dhe FBI-së të hetojnë “përfshirjen dhe marrëdhënien” e Epsteinit me Clintonin dhe të tjerët.
Clinton ka mohuar fuqimisht se kishte ndonjë dijeni për krimet e Epsteinit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com