Presidenti amerikan, Donald Trump, vëzhgon demonstrimet e Marinës ushtarake amerikane më 5 tetor 2025. Foto: Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë: Komandanti i Marinës urdhëroi sulmin e dytë ndaj anijes venezuelase
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se një komandant i lartë i Marinës amerikane ka urdhëruar një raund të dytë sulmesh ushtarake ndaj një anijeje venezuelase të dyshuar droge, ka raportuar BBC.
“Admirali (Frank) Bradley punoi mirë brenda autoritetit të tij dhe ligjit”, duke urdhëruar sulmin shtesë, ka bërë të ditur të hënën – sipas kohës lokale amerikane – sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Leavitt ka konfirmuar se sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka autorizuar sulmet, por nuk dha urdhër për të “vrarë të gjithë”, siç raportoi “Washington Post”. Sulmi i dytë thuhet se u krye pasi dy persona mbijetuan shpërthimin fillestar dhe ishin kapur pas anijes që po digjej.
Si kongresistët republikanë ashtu edhe ata demokratë, kanë shprehur shqetësim për raportin dhe janë zotuar për shqyrtime e sulmeve.
“Presidenti (Donald) Trump dhe sekretari Hegseth e kanë bërë të qartë se grupet narko-terroriste të përcaktuara nga presidenti janë subjekt i shënjestrimit vdekjeprurës në përputhje me ligjet e luftës”, ka theksuar Leavitt gjatë konferencës për shtyp.
Sekretarja e Shtypit as nuk ka konfirmuar se sulmi i parë la dy të mbijetuar, as se sulmi i dytë kishte për qëllim t’i vriste ata.
Raportet e medias se Hegseth kishte dhënë direktivën për t’i vrarë të gjithë ata që ishin në bordin e anijes gjatë sulmit të 2 shtatorit kanë ringjallur shqetësimet lidhur me ligjshmërinë e sulmeve ushtarake amerikane kundër anijeve të dyshuara të drogës në Karaibe.
Hegseth ka kundërshtuar akuzat e ngritura në shkrim, duke i quajtur ato “të sajuara, nxitëse dhe përçmuese”. Të hënën, ai shkroi në Twitter se Admirali Bradley “është një hero amerikan, një profesionist i vërtetë dhe ka mbështetjen time 100 për qind”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com