Foto: Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në Facebook
Trump në fyerjen e fundit ndaj grave gazetare e quan “të shëmtuar” reporteren e Times-it
Në një postim në platformën “Truth Social”, presidenti amerikan e ka qortuar gazetaren Katie Rogers pas një shkrimi në cilin vihej në dyshim nëse ai e kishte ndërmend të ndryshonte qasjen, ka raportuar gazeta “The Guardian”.
Donald Trump ka sulmuar të mërkurën – sipas kohës lokale amerikane – një gazetare të gazetës “The New York Times”, duke e quajtur “të shëmtuar brenda e jashtë”, në fyerjen e tij të fundit personale kundër grave të medias, pasi javën e kishte quajtur “derrkucë” një tjetër gazetare.
Në një postim në “Truth Social”, Trump ka kritikuar gazetën njujorkeze për një shkrimin në të cilin sugjerohej se atij po i mbaronte energjia në moshën 80-vjeçare, duke këmbëngulur se “nuk kishte punuar kurrë kaq shumë në jetën e tij”.
Trump pati për cak sidomos njërën nga autoret. “Autorja e shkrimit, Katie Rogers, e cila është caktuar të shkruajë vetëm gjëra të këqija për mua, është një gazetare e dorës së tretë që është e shëmtuar, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë”, ka shkruar ai.
Thashethemet rreth shëndetit të presidentit kanë qarkulluar prej muajsh, duke u shtuar mëdyshjet pasi presidenti Trump e ka pranuar se kishte kryer një rezonancë magnetike muajin e kaluar. Ai ka këmbëngulur se ishte pjesë e ekzaminimit standard mjekësor dhe nuk do tregonte se cilën pjesë të trupit e kishte kontrolluar.
“Times” ka shkruar të martën se presidenti Trump po shfaqte “shenja lodhjeje”, ndërsa “përballet me realitetin e plakjes në detyrë”.
Trump, tani personi më i vjetër që ndonjëherë në krye të presidencës, thuhet se u shfaq i përgjumur në një aktivitet në Zyrën Ovale më 6 nëntor, ku “qepallat e tij u varën derisa sytë pothuajse iu mbyllën, dhe dukej sikur dremiste herë pas here për disa sekonda”.
Charlie Stadtlander, zëdhënës i gazetës njujorkeze, ka mbrojtur gazetarët.
“Raportimi i ‘The Times-it’ është i saktë dhe i ndërtuar mbi raportimin e drejtpërdrejtë të fakteve. Shpërfilljet dhe fyerjet personale nuk e ndryshojnë këtë, as gazetarët tanë nuk do të hezitojnë të mbulojnë këtë administratë përballë taktikave të frikësimit si kjo”, ka thënë ai në një deklaratë.
“Gazetarët ekspertë dhe zhbirues si Katie Rogers ilustrojnë sesi shtypi i pavarur dhe i lirë e ndihmon popullin amerikan të kuptojë më mirë qeverinë e tij dhe udhëheqësit e saj”, thuhet në të.
Trump, i cili ka një histori sulmesh jashtëzakonisht personale ndaj grave gazetare, iu referua një korrespondente të “Bloomberg Newsit” si “derrkucë” gjatë një përplasjeje në bordin e “Air Force One” para më pak se dy javësh. Kur Catherine Lucey, korrespondente e “Bloombergut” në Shtëpinë e Bardhë, nisi të pyeste pse presidenti po sillej në atë mënyrë lidhur me dosjet Epstein, “nëse nuk ka asgjë inkriminuese në dosje”, Trump tregoi me gisht nga ajo dhe tha: “Hesht. Hesht, derrkucë”.
Javën e kaluar, pasi u përball me pyetje nga Mary Bruce, korrespondente e ABC Newsit në Shtëpinë e Bardhë lidhur me vrasjen e Jamal Khashoggit dhe skandalin Epstein, Trump u përgjigj: “Nuk është pyetja që më shqetëson. Është qëndrimi juaj. Mendoj se jeni një gazetare e tmerrshme – është mënyra se si i bëni këto pyetje”, duke shtuar: “Jeni një person i tmerrshëm dhe një gazetare e tmerrshme”.
Trump ka histori të kahershme të rezervimit të kritikave më të ashpra ndaj grave, duke i quajtur gratë gazetare “të këqija” dhe duke iu referuar menstruacioneve pse po i shpërfillte pyetjet e Megyn Kellyt.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com