Ilustrim
Tri raste të dhunës në familje u raportuan në 24 orët e fundit në Polici
Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.
Policia ka njoftuar se tre persona janë arrestuar për dhunë në familje në dy raste të ndara.
Sipas Policisë, në Prishtinë, është raportuar se ankuesja femër pas një mosmarrëveshje është ofenduar dhe shtyrë nga i dyshuari mashkull kosovar.
Sipas Policisë, nuk është raportuar për të lënduar, e rasti shkon në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, po në Prishtinë një person është arrestuar pasi dyshohet për dhunë dhe kanosje ndaj një gruaje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ai ka ushtruar dhunë fizike dhe kanosje ndaj viktimës femër kosovare”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse në Rahovec, Policia ka arrestuar një grua dhe një burrë të dyshuar për sulm fizik ndaj njeri-tjetrit.
“Janë arrestuar një femër dhe një mashkull kosovarë, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht njëri- tjetrin”- ka thënë Policia.
Me vendim të prokurorit, sipas Policisë, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.