Foto: Pixabay
Katër raste të ndara të dhunës në familje, njëri prej të dyshuarve dërgohet në psikiatri
Policia e Kosovës ka raportuar për katër raste të ndara të dhunës në familje të ndodhura gjatë datave 29 dhe 30.11. 2025, në Prishtinë, Kaçanik dhe Rahovec. Në dy prej rasteve, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa në një rast është kërkuar trajtim psikiatrik.
Në rastin e parë të raportuar më 29.11.2025, rreth orës 19:30 në Prishtinë, një person ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari. Sipas raportit, “i dyshuari për shkak të gjendjes shëndetësore me vendim të prokurorit është dërguar për tretman mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë, ku edhe është ndaluar për trajtim të mëtejmë”.
Një ditë më pas, më 30.11.2025, rreth orës 20:50, po në Prishtinë, një qytetare ka raportuar se ishte “kanosur përmes mesazheve në telefon nga i dyshuari mashkull kosovar”. Pas konsultimit me prokurorin, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast dhe ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rast tjetër është regjistruar në Kaçanik më 30.11.2025, rreth orës 17:00, ku Policia ka arrestuar një të dyshuar.
Sipas raportit, i dyshuari “paraprakisht përmes telefonit kishte ofenduar e kanosur viktimën mashkull kosovar dhe familjen e tij, po ashtu kishte shkuar në oborrin e viktimës”. Prokurori ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje pas intervistimit.
Rasti i katërt është shënuar në Rahovec më 30.11.2025, rreth orës 22:45. Policia ka arrestuar një person nën dyshimin se “në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare”. Raporti thekson se te viktima “nuk janë vërejtur shenja të dukshme të dhunës fizike dhe e njëjta ka refuzuar tretmanin mjekësor”. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.