Ministria e Arsimit Foto: Denis Sllovinja
Tre muaj insistim, platforma elektronike për njohjen e diplomave e MASHT-it jashtë funksionit
Ministria e Arsimit ka investuar në një sistem aplikimi online për nostrifikimin e diplomave, e cila ka shtatë muaj që është jo-funksionale për shkak të burokracive qeveritare.
Platforma elektronike u krijua me synimin për digjitalizimin e procesit të nostrifikimit të diplomave, proces në të cilin Ministria e Arsimit i njeh diplomat e dhëna nga universitetet dhe shkollat jashtë kosovës.
Pa nostrifikim diplomat e dhëna jashtë vendit nuk janë të vlefshme.
Që nga muaji mars, KALLXO.com është sinjalizuar nga raportuesit të cilët denoncuan se platforma nuk po funksionon edhe përkundër faktit që ajo ishte promovuar si zgjidhje e problemit.
Ministria në vazhdimësi refuzonte të jap sqarime për dështimin e platformës, edhe pse KALLXO.com i ka pyetur nga data 01.08.2025.
Për ta kuptuar nëse platforma elektronike funksionon apo jo, është e thjeshtë, hyn në faqe: https://naric-ks.online/ dhe e sheh që del Error, apo në shqip – nuk punon.

Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit u pyet në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 03.08.2025 për mosfunksionimin e kësaj platforme, por ajo shtatë herë deklaroi se punon.
“Unë e di që punon aplikimi online, edhe përveç se bëhet aplikimi, palët edhe e shohin se ku ka mbërri procesi. Nganjëherë vonesat shkaktohen për shkak se duhet të kthehet përgjigje nga institucioni ku palët i kanë kry studimet”- kishte thënë Nagavci në “Kallxo Përnime”.
Pas intervistës me Nagavcin, sërish e kemi provuar platformën dhe përgjigja prapë ka qenë vetëm Error.
Kumrije Gagica është drejtoreshë e NARIC apo Qendrës për Njohje të diplomave dhe në mandatin e saj ka punuar platforma elektronike.
KALLXO.com ia ka dërguar pyetjet nga data 01.08.2025 drejtoreshës Gagica dhe e ka telefonuar, po ashtu në dijeni për këto pyetje ka qenë edhe ministrja Nagavci, Fadile Dyla, sekretarja e përgjithshme e MASHTI-t, Xhevahire Pllana, zëdhënësja e Ministrisë, por nuk janë përgjigjur gjatë asaj kohe.
Gagica nuk i është përgjigjur as telefonatave nga KALLXO.com.
Pasi nuk janë përgjigjur me kohë, KALLXO.com është ankuar më 14.08.2025 në Agjenci për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila sipas ligjit ta obligojë MASHTI-n të jap informacionet e kërkuara.
Kaluan gati tre muaj që pyetjet ishin dërguar dhe më 28.10.2025, Elmedina Llumnica, zyrtare e lartë për monitorim të mediave dhe qasje në dokumentet publike në Ministri të Arsimit i përgjigjet KALLXO.com, duke i vënë në dijeni edhe zyrtarët e AIP-së, pasi i kanë obliguar të përgjigjen.
Përgjigjet e thonë qartë se platforma që ministrja Nagavci kishte thënë 7 herë që punon, nuk është duke punuar prej muajit mars të këtij viti.
“Aplikimi online për njohje/barasvlerë të diplomave nuk është në funksion. Platforma është krijuar në vitin 2021 dhe ka funksionuar deri në mars 2025. Ka disa probleme teknike, ku të dhënat e aplikimeve shfaqeshin në publik, për rrjedhojë kemi njoftuar IT e MASHTI dhe ASHI të cilët janë marrë me këtë çështje”- ka thënë Llumnica, më 28.10.2025.
Pra, janë dashur rreth tre muaj që zyrtarët e Minstrisë të përgjigjen për një platformë të rëndësishme e cila nuk po punon. Kurse, aplikimi për nostrifikim vazhdon në sistemin tradicional të para vitit 2021 apo siç njihet sistemi me letra në dorë.
Në bazë të përgjigjeve, MASHTI e ka njoftuar Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) për mosfunksionimin e platformës elektronike.
KALLXO.com e ka pyetur ASHI-në dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), më 28.10.2025, për të kuptuar se pse ende nuk funksionon platforma elektronike për aplikim për njohje të diplomave nga muaji mars 2025.
Deri tani, më 30.10.2025, nuk kemi marrë përgjigje nga ASHI e MPB. Shkurt, tre muaj pasi e kemi nisur këtë verifikim të thjeshtë askush nga institucionet e shtetit nuk di të jap përgjigje se kur do kthehet në funksion platforma që MASHTI-t i ka kushtu hiç më pak se 196 mijë euro.
Sipas Llumnicës, shërbimet dhe programet e përfshira në shumën 196,000 euro janë: baza e të dhënave për librat amë të NARIC-ut, zhvillimi i sistemit NARIC, serveri, skaneri, arkivimi i librave amë, digjitalizimi i procesit të punës në librat amë, hostimi, përkrahja 24/7 dhe mirëmbajtja mujore.
KALLXO.com ka kërkuar disa sqarime shtesë nga Llumnica, më 28.10.2025, për të kuptuar se cila kompani e kishte krijuar plaftormën elektronike, por ende nuk janë përgjigjur dhe me këtë janë duke vazhduar të merren zyrtarët e AIP.
Në anën tjetër, në vitin 2023, Ministria e Arsimit kishte njoftuar se platforma për aplikim për njohje/barasvlerë të diplomave, është në procedura të hostimit në ASHI dhe pritet që të finalizohet shumë shpejt.
“Deri në përfundimin e këtij procesi, ju mund të aplikoni fizikisht, në zyrën nr. 10, në MASHTI”- thuhej në njoftimin e Ministrisë së Arsimit, më 19.07.2023.
Në NARIC Kosova, Nagavci kishte treguar në “Kallxo Përnime” se punojnë rreth 3-4 punëtorë pasi ajo vlerëson se është më shumë çështje teknike, jo ndonjë ngarkesë e madhe për zyrtarët.
Megjithatë, ajo kishte shtuar se është e vetëdijshme që ka akoma shumë punë në këtë drejtim.
Përgjigja e MASHTI-t e kthyer më 31.10.2025:
Ministria e Arsimit në një përgjigje të re për KALLXO.com ka thënë se lidhur me problemet teknike të shfaqura në platformën për aplikim online për njohje të diplomave të arsimit të lartë, më 14.03.2025, Departamenti i Sigurisë në ASHI ka evidentuar disa mangësi në siguri.
“Për të ruajtur sigurinë e të dhënave dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, është propozuar që platforma të ndalet përkohësisht.” – ka thënë zyrtarja Elemedina Llumnica, më 31.10.2025.
Shënim: Artikullit i është shtuar përgjigjja e re që ka ofruar Ministria e Arsimit më 31.10.2025. Ora:16:57