Dyshimet për dhunë nga edukatorja e kopshtit në Ferizaj, nëna e të miturit: 'Krejt flokët janë kanë të hjekta me dhunë'
Edukatorja M. A. ndodhet në arrest shtëpiak, pasi u denoncua nga prindërit se i keqtrajtoi fëmijët e tyre në kopsht.
Mesditën e datës 05.11.2025, një nënë pasi e kishte marrë djalin e saj nga kopshti privat i fëmijëve në Ferizaj pretendon se kishte parë shenja të dhunës e keqtrajtimit në kokën e të miturit.
Kur kishin arritur në shtëpi, ajo thotë se ai kishte filluar të qajë shumë dhe ia kishte parë kokën e skuqur.
“Krejt flokët janë kanë të hekta me dhunë, janë kanë krejt pika të gjakut. Edhe kur i kom prek flokët e djalit, krejt flokët më kanë mbet në dorë”- ka deklaruar prindi për KALLXO.com, më 17.11.2025.
Pas insistimit të saj ajo ka treguar se arriti t’i shoh pamjet e kamerave të kopshtit, më 06.11.2025, në të cilat sipas saj, edukatorja M. A. shihet se si e keqtrajton dhe ushtron dhunë fizike ndaj çdo fëmije, përfshirë edhe djalin e saj.
M. A. u denoncua në Polici dhe u ndalua për 48 orë. Pastaj, më 12.11.2025, Prokuroria Themelore në Ferizaj mori aktvendim për fillim të hetimeve ndaj saj dhe kërkoi t’i caktohet masa e paraburgimit si e dyshuar për veprat penale “Keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Gjykata në Ferizaj e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe edukatoren M. A. e çoi një muaj arrest shtëpiak, më 13.11.2025.
Gjykata madje ia refuzoi KALLXO.com-it qasjen në aktvendimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak me arsyetimin se rasti është duke u hetuar.
Edhe Dardan Hakiu, avokat i të dyshuarës, deklaroi për KALLXO.com se rasti është ende në procedurë hetimore dhe se ai vet nuk i ka parë pamjet e kamerave të kopshtit.
“Jena deklaruar në Gjykatë, normal që i kemi mohuar ato. Edhe tash është hala herët për me fol diçka ma shumë”- tha Hakiu, më 18.11.2025.
Përveç nënës që thotë se e zbuloi keqtrajtimin e fëmijëve nga edukatorja, ajo e sinjalizoi edhe një nënë tjetër, më 07.11.2025, që të interesohet në kopsht, pasi e kishte djalin të lënduar.
Pas deklaratave të këtyre dy nënave nga familje të ndryshme në lidhje me ato çka kishin parë në pamjet e kamerave të kopshtit, ekipi i KALLXO.com e vizitoi dy herë kopshtin në Ferizaj më 17.11.2025, duke e kërkuar me emër e mbiemër gruan që kishin kontaktuar me të për rastin.
Herën e parë një grua e priti ekipin e KALLXO.com dhe iu paraqit si edukatore. Pasi ekipi e zbuloi se në fakt ishte përgjegjësja e kopshtit me të cilën kishin kontaktuar prindërit, trokiti për të dytën herë në derën e kopshtit, por i thanë se ajo nuk ishte aty.
Përmes përgjigjeve me shkrim ajo ka kërkuar mirëkuptim me arsyetimin se ishte zënë në befasi dhe reagimi ishte më shumë si rezultat i emocioneve.
Sipas saj, incidenti me edukatoren M. A. nuk përfaqëson vlerat apo praktikat e tyre, meqë mirëqenia e çdo fëmije që kanë në kujdes është prioritet për ta.
“Edukatorja në fjalë është larguar menjëherë nga puna dhe është mbajtur përgjegjësia e plotë morale dhe profesionale për incidentin. Në të njëjtën kohë, kemi njoftuar prindin për t’i kërkuar falje të sinqertë për familjen. Sinqerisht na vjen tmerrësisht keq për këtë incident, meqë diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në institucionin tonë dhe është totalisht e papranueshme. Paralelisht me këto hapa, kemi kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe kemi bashkëpunuar plotësisht me organet kompetente”- thuhet në përgjigjen kopshtit, më 17.11.2025.
Të pyetur nëse kopshti ka licencë nga Ministria e Arsimit, ata kanë thënë se janë në proces të licencimit dhe se Ministria e ka kryer inspektimin për këtë çështje. Edhe pse pa licencë, ata nuk kanë bërë të ditur se kur kanë nisur të punojnë në kopsht.
Por, njëra nga nënat e të miturve ka deklaruar se e kishte dërguar djalin e saj në këtë kopsht nga shkurti i këtij viti, kurse nëna tjetër tha se kishte dërguar djalin aty nga muaji korrik, 2025. Të dyja e kanë paguar kopshtin nga 120 euro në muaj.
Kurse, Besa Bytyqi, drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit tha për KALLXO.com se nuk kanë pranuar asnjë ankesë apo informacion në lidhje me këtë rast dhe në fakt do të inspektojnë në kopsht më 19.11.2025.
“Inspektorati do të realizojë një inspektim në institucionin e përmendur, ku do të verifikojë aspektet që janë në kompetencën e Inspektoratit të Arsimit, përfshirë kualifikimet e edukatores dhe çështjen e licencimit të institucionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”- ka thënë Bytyqi në përgjigjen me shkrim, më 18.11.2025.
Çka panë nënat e të miturve në pamjet e kamerave të kopshtit?
Nëna që e identifikon veten si zbuluese të keqtrajtimit të fëmijëve nga edukatorja në Ferizaj i tha KALLXO.com se “çdo ditë e kam marrë djalin me sy të skuqur, me sy sikur me pas qajtë aq shumë. E kam pyet kryesoren e kopshtit se nuk na kanë lanë me pas kontakt asnjëherë me edukatoren”.
Atë ditë që dyshohet se kishte ndodhur rasti, më 05.11.2025, ajo thotë se nuk iu lejua qasja në pamjet e kamerave të kopshtit me arsyetimin se duhej të kishte leje nga Policia.
Pamjet e kamerave ajo tha se i ka parë të nesërmen dhe i quan tmerruese, kurse sjelljet e edukatores i quan jo normale.
“Ajo e tërheq një fëmijë për flokë, ia merr lodrën, së pari ia lakon dorën, pastaj e tërheq për flokë derisa e përplas përtokë. Një fëmijë aty ka bo zhurmë, a ku po e di, se nuk nihet zhurma, e gjuan me digitron (telekomandë)… Një djalë që e ka tërheq për flokë edhe në fund e shtynë me këmbë. E vetmja një fëmijë u kanë, një vajzë që e ka mbajt me veti [në krahë] kah do që ka shku”- ka thënë nëna e të miturit.
Kurse, trajtimin e fëmijës së saj nga edukatorja, prindi e përshkruan duke thënë se për rreth një orë e ka lënë të mbuluar me një mbulesë në një shtrat luhatës, për ta vënë në gjumë, kurse vet ka qëndruar në telefon.
“Fëmija im lëvizë, lëvizë, ajo e merr fëmijën tim e tërheq me shumë dhunë, me gjithë maksikozë kah vetja, i kthen flokët përpara kamerës edhe brenda nën mbulesë, ajo ma lëndon mua fëmijën. Nën mbulesë iu shihen duart t’u lëvizë e kështu, fëmija im nuk i ndihet zani se e ka ndalë zanin [e kamerave], po kur ia heq mbulesën me qaq shpejtësi që ia heq, fëmija im komplet flokët i ka përpjetë, është t’u e kap kryet edhe krejt faqen e ka të kuqe”- ka treguar ajo.
“Ajo e merr shpejt një ulëse të ushqimit të fëmijëve edhe ma gjuan fëmijën, nuk e vendos qysh duhet në të, po ma gjuan shumë. Ia tërheq aq shumë këmbët përfundi. Kur e kupton që unë kam shku me marr djalin, ajo nuk ma heq fëmijën tim prej maksikozës, po mendoj prej ulëses me heq në mënyrë të duhur, me qit poshtë, por ma gjuan prej ulëses me kokë poshtë, në tokë”- ka shtuar ajo.
Sipas saj, nga data 06.11.2025, djali i saj ka marrë trajtim mjekësor në urgjencë të Shtimes, urgjencë të Ferizajt dhe te psikiatri.
“Kopshti ka kërkuar – leje edhe sot mos shko, nesër po vijmë edhe na, po e denoncojmë të dyjat. Nuk i kam ba za kurrgja, thash u kry edhe kam shku drejt në Polici, e kam denoncuar”- tha nëna e të miturit.
Kurse, nëna tjetër kur ishte informuar më 07.11.2025 nga nëna e të miturit, që të interesohej në kopsht pasi djalin e kishte të lënduar, deklaron në KALLXO.com “se prej kopshtit unë kurrë s’isha kanë t’u u informu”
“Ka pasë lëndime në kry. Ka pasë që e ka pas kryet e kuq, ka pasë lëndime rreth këmbëve, rreth barkut, po unë e kam lënë shkaku që u vra… Qasjen në kamera, më ka thirrë Policia, më ka informuar. Kam shkuar, kur kam shku, e kam pa pamjen. Djali im është shumë keq, është shumë i kapt keq, është shumë i lënduar, është te pjesa e flokëve që e kap, e çon, e ngreh lartë dhe e gjuan 10 metra larg edukatorja” – ka treguar ajo trajtimin e djalit të saj nga edukatorja.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të fëmijës së saj, ajo thotë se “për momentin është keq, nuk flen. Për mua edukatorja po m’u dënu veç edhe çerdhja, se çerdhja asnjëherë nuk më ka lajmëru, me thanë – qysh është fëmija, a është mirë, a është në gjendje të mirë?”.