Pas raportimit të KALLXO.com, Inspektorati e mbyll kopshtin privat të fëmijëve në Ferizaj
Mëngjesin e të enjtes, më 20.11.2025, në KALLXO.com u publikua raportimi në lidhje me dyshimet për dhunë fizike dhe keqtrajtim të fëmijëve nga edukatorja M.A. në një kopsht privat në Ferizaj.
Pas informimit nga KALLXO.com, Besa Bytyqi, drejtoresha e Përgjithshme e Inspektoratit të Arsimit e ka konfirmuar se e kanë inspektuar kopshtin në Ferizaj më 19.11.2025 dhe kanë marrë vendim për mbylljen e tij, pasi operon pa licencë të lëshuar nga Ministria e Arsimit.
“Me këtë rast, është konstatuar gjithashtu se ashtuquajturi IEAPP X.X. operon pa licencë të lëshuar nga MASHTI. Për këtë çështje Inspektorati ka ndërmarrë veprimet ligjore, respektivisht ka nxjerrë vendim për mbylljen e institucionit.” – ka thënë Bytyqi, më 20.11.2025.
KALLXO.com menjëherë e ka kontaktuar përmes telefonit përgjegjësen e kopshtit të fëmijëve në Ferizaj, por ajo ka thënë se do të deklarohet më vonë, kur të lirohet. Deri në publikimin e lajmit, nuk ka dhënë ndonjë deklarim.
Kurse, për dyshimet se edukatorja M.A. i ka keqtrajtuar të paktën dy fëmijë në kopsht, Bytyqi tha se “Nga inspektimi i realizuar është kuptuar se rasti është raportuar në Policinë e Kosovës nga prindërit, dhe aktualisht po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa institucioni ia ka ndërprerë kontratën edukatores.”
Në raportimin e KALLXO.com dy prindër nga familje të ndryshme deklarojnë se në pamjet e kamerave të kopshtit e kanë parë edukatoren M.A. më 05.11.2025 duke i keqtrajtuar fëmijët në kopsht, përfshirë edhe fëmijët e tyre.
M.A. u denoncua në Polici dhe u ndalua për 48 orë. Pastaj, më 12.11.2025, Prokuroria Themelore në Ferizaj mori aktvendim për fillim të hetimeve ndaj saj dhe kërkoi t’i caktohet masa e paraburgimit si e dyshuar për veprat penale “Keqtrajtim apo braktisja e fëmijës” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Gjykata në Ferizaj e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe edukatoren M. A. e çoi një muaj arrest shtëpiak, më 13.11.2025.
Gjykata madje ia refuzoi KALLXO.com-it qasjen në aktvendimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak me arsyetimin se rasti është duke u hetuar.
Edhe Dardan Hakiu, avokat i të dyshuarës, ka deklaruar për KALLXO.com se rasti është ende në procedurë hetimore dhe se ai vet nuk i ka parë pamjet e kamerave të kopshtit.
“Jemi deklaruar në Gjykatë, normal që i kemi mohuar ato. Edhe tash është hala herët për me fol diçka ma shumë”- tha Hakiu, më 18.11.2025.
Pas deklaratave të nënave të të miturve, ekipi i KALLXO.com e ka vizituar kopshtin e fëmijëve në Ferizaj, më 17.11.2025 duke e kërkuar me emër e mbiemër gruan që kishin kontaktuar prindërit me të për rastin.
Herën e parë një grua e priti ekipin e KALLXO.com dhe iu paraqit si edukatore. Pasi ekipi e zbuloi se në fakt ishte përgjegjësja e kopshtit me të cilën kishin kontaktuar prindërit, trokiti për të dytën herë në derën e kopshtit, por i thanë se ajo nuk ishte aty.
Përmes përgjigjeve me shkrim ajo ka kërkuar mirëkuptim me arsyetimin se ishte zënë në befasi dhe reagimi ishte më shumë si rezultat i emocioneve.
Sipas saj, incidenti me edukatoren M. A. nuk përfaqëson vlerat apo praktikat e tyre, meqë mirëqenia e çdo fëmije që kanë në kujdes është prioritet për ta.
“Edukatorja në fjalë është larguar menjëherë nga puna dhe është mbajtur përgjegjësia e plotë morale dhe profesionale për incidentin. Në të njëjtën kohë, kemi njoftuar prindin për t’i kërkuar falje të sinqertë për familjen. Sinqerisht na vjen tmerrësisht keq për këtë incident, meqë diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në institucionin tonë dhe është totalisht e papranueshme. Paralelisht me këto hapa, kemi kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe kemi bashkëpunuar plotësisht me organet kompetente”- thuhet në përgjigjen e kopshtit, më 17.11.2025.
Të pyetur nëse kopshti ka licencë nga Ministria e Arsimit, ata kanë thënë se janë në proces të licencimit dhe se Ministria e ka kryer inspektimin për këtë çështje. Edhe pse pa licencë, ata nuk kanë bërë të ditur se kur kanë nisur të punojnë në kopsht.
Por, njëra nga nënat e të miturve ka deklaruar se e kishte dërguar djalin e saj në këtë kopsht nga shkurti i këtij viti, kurse nëna tjetër tha se kishte dërguar djalin aty nga muaji korrik, 2025. Të dyja e kanë paguar kopshtin nga 120 euro në muaj.
Se çka panë nënat e të miturve në pamjet e kamerave të kopshtit në Ferizaj, mund të lexoni në këtë LINK.