Supremja u jep fund dilemave për rrëzim të aktakuzave kur nuk merret në pyetje i akuzuari nga prokuroria
Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë mendim juridik rreth dilemave për hedhje të aktakuzave në rastet kur i dyshuari ose akuzuari nuk ishte marrë në pyetje nga prokurori para ngritjes së aktakuzës.
Mendimi juridik i Supremes i përpiluar në 14 faqe, ka dhënë disa sqarime për të dyshuarit që janë marrë në pyetje nga policia pa autorizim të prokurorisë, duke u bazuar në kodin e ri dhe me kodin e vjetër penal.
Kohëve të fundit Gjykatat Themelore janë duke i hedhur aktakuzat e Prokurorisë duke marrë për bazë se nuk kanë zbatuar dispozitat e kodit të procedurës penale, ku nuk është marrë në pyetje i akuzuari fare nga prokurori për veprat penale të dënueshme deri në tri vite apo më shume se tri vite, marrjen në pyetje e kanë bërë policia.
Kështu Supremja ka dhënë mendim se nuk do të hudhen aktakuzat që janë ngritur deri në muajin shkurt të vitit 2023, kur është zbatuar kodi i vjetër penal, në rastet kur i pandehuri është marrë në pyetje vetëm nga policia pa autorizim të prokurorit të shtetit.
“Aktakuzat të cilat janë ngritur deri më datë 14 shkurt, 2023, sipas Kodit të Procedures Penale, Nr. 04/L-123, për të cilat është marrë në pyetje i pandehuri në polici (edhe kur është marrë në pyetje pa autorizim formal të prokurorit), nuk mund të hudhen mbi bazën e pengesës për ndjekje penale apo mbi bazën se nuk mund të veprohet sipas saj”- thuhet në vendimin e Supremes.
Sipas Supremes, në qoftë se i dyshuari është marrë në pytje qoftë nga policia edhe pa autorizimin formal apo të shkruar të prokurorit, nuk konsiderohet si shkelje procedurale nga organi i akuzës.
Tutje, Supremja i ka dhënë fund dilemave edhe në rastet kur është zbatuar kodi i procedurës penale – i riu, për veprat penale që janë të dënueshme deri në tri vite burgim, dhe i akuzuari është marrë në pyetje në polici por nuk kanë pasur autorizim me shkrim nga prokurori i shtetit. Këto aktakuza të ngritura, sipas Gjykatës Supreme, nuk do të hudhen dhe nuk do të pushohet procedura penale.
“Aktakuzat të cilat janë ngritur, sipas Kodit të procedures penale, NR. 08/L-032, për të cilat ishte paraparë dënimi deri në tri vite burgim, nëse i pandehuri është marrë në pyetje në polici edhe pa autorizimin me shkrim të prokurorit, nuk mund të hudhen mbi bazën e pengesës së ndjekjes penale apo pamundësisë për të verpuar sipas saj”- thuhet tutje në vendimin e Supremes.
Supremja ka thënë se në momentin që prokurori i autorizon policinë që ta merr në pytje të pandehurin para se të ngritet aktakuza kur nuk ka autorizim formal (me shkrim) nuk krijon pasiguri juridike për të pandehurin, kur është marrë në pytje nga policia pa autorizim me shkrim.
Në mendimin e saj të nxjerrë më 01.10.2025 Gjykata Supreme e ka trajtuar edhe dilemën nëse Prokuroria mund të zhvilloj hetime për vepra penale pa nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve.
Supremja i ka dhënë të drejtë Prokurorisë duke thënë se mundet të ndërmerren veprime hetimore edhe pse nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve, përfshirë këtu marrjen në pyetje të pandehurit apo sigurimin e ndonjë prove, për veprat penale të dënueshme deri në tri vite burgim.