Foto: KALLXO.com
Në Gjykatën Supreme u mbajt seanca për padinë e OEK kundër ZRRE-së për vendimet rreth daljes së bizneseve në treg të lirë energjisë
Në Gjykatën Supreme të Kosovës sot, më 05.11.2025, është mbajtur seanca lidhur me padinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) për vendimet me të cilat parashihej dalja e bizneseve kosovare në treg të lirë të energjisë elektrike.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që nga data 1 qershor i vitit 2025 rreth 1,300 biznese të mëdha që kanë më shumë se 50 të punësuar ose më shumë se 10,000,000 euro qarkullim detyrohen që energjinë elektrike ta sigurojnë në tregun e lirë.
Rreth këtyre vendimeve që i obligojnë bizneset që të sigurojnë energjinë elektrike në treg të lirë, OEK kishte dërguar rastin në Gjykatën Surpeme të Kosovës që të vlerësohet ligjshmëria e vendimeve për këtë rast.
Avokati Ekrem Hoxha, i cili përfaqëson Odën Ekonomike të Kosovës, tha se padinë të cilën e kanë parashtruar e kanë bërë të qartë dhe me bazë ligjore qëndrueshmërinë e padisë dhe paligjshmërinë e vendimarrjes së ZRRE-së.
Avokati Hoxha tha se ZRRE përkundër se ka pasur obligim ligjor që të kryejë një analizë të konkurencës reale ne sektorin e energjisë elektrike këtë nuk e ka bërë, duke shmangur kështu detyrimin ligjor dhe duke krijuar favore ekonomike për operator privat si KESCO dhe operatorë tregtarë të tjerë.
“E paditura me kokëfortësi dhe refuzim të paarsyetuar administrativ-ligjor përkundër se ka pasur obligim ligjor nga Ligji për energjinë elektrike baza ligjore e cekur në padi, ka shkelur Ligjin meqenëse e njëjta ka pasur obligim dhe detyrim ligjor të kryejë një analizë të konkurrencës reale në sektorin e energjisë elektrike. Këtë nuk e ka bërë, dhe nuk e ka bërë me vetëdije të plotë, duke shmangur detyrimin ligjor dhe krijuar favore ekonomike për një operator privat si KESCO dhe disa operatorë tregtarë të tjerë të licencuar se fundmi për të kamufluar kinse konkurrencë reale në treg” – tha avokati Hoxha.
Sipas avokatit Hoxha, thirrja e ZRRE-së se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është detyrim nga direktivat është vetëm referim i zbehtë për të arsyetuar një vendimmarrje të marrë nga ZRRE.
Më tej avokati Hoxha tha se e paditura ka bërë shkelje të kompetencës ligjore pasi e njëjta ka vepruar në tejkalim të mandatit të saj.
“E paditura ka bërë shkelje të kompetencës ligjore pasi e njëjta ka vepruar në tejkalim të mandatit të saj, pasi liberalizimi i tregut me një proces kompleks ekonomik rregullator mes tjerash përbën një proces politik dhe ekonomik dhe pastaj rregullator”- deklaroi avokati.
“Dhe si i tillë komponenta e procesit politiko-ekonomik nga Qeveria ka munguar dhe e paditura e ka filluar procesin e liberalizimit qëllimshëm për të kamufluar paligjshmërinë e saj me një akt-dokument apo njoftim publik dhe pa akte formale të bordit si akte individuale që ia jep Ligji si kompetencën dhe diskrecion” – shtoi më tej avokati.
Në anën tjetër përfaqësuesi i ZRRE, Ymridin Misini, tha se padia nuk ka bazë ligjore as materiale për t’u pranuar. Sipas ZRRE-së, padia kundër tyre është pa objekt dhe pa interes juridik.
Misini tha se ZRRE ka vepruar në përputhje me parimet e pavarësisë, transparencës, kokurrencës së lirë dhe mbrojtjes së konsumatorëve me qëllim të zhvillimit të tregut të energjisë në mënyrë konkurruese, transparente dhe jodiskriminuese.
Më tej Misini tha se pretendimet e OEK se ZRRE ka vepruar jashtë kompetencës janë të pabazuara.
Tutje, Misni tha se ZRRE është institucion i pavarur dhe i themeluar nga Kushtetua e Republikës së Kosovës dhe është i rregulluar përmes Ligjit për rregullatorin e energjisë. Tutje, Misini tha se ZRRE konsideron se asnjë e drejtë ligjore e paditësit apo anëtarëve të saj nuk është cenuar, si dhe interesi publik dhe ai i konsumatorëve është mbrojtur.
Seanca më tej procedoi me fazën e administrimit të provave dhe pas kësaj palët dhanë fjalët përfundimtare.
Avokati i Odës Ekonomike, Ekrem Hoxha, i propozoi Gjykatës që kërkesë-padinë e tyre ta aprovojë si të themeltë dhe të bazuar.
Ndërsa, në anën tjetër, përfaqësuesi i ZRRE, Ymridin Misini, tha se ZRRE ka vepruar në bazë të kompetencave ligjore dhe kushtetuese.
Tutje, Misini i propozoi Gjykatës Supreme që padia e OEK të refuzohet si e palejueshme dhe e pathemeltë.
Në fund Gjykata njoftoi palët se vendimin e Gjykatës Supreme palët do ta marrin brenda afatit ligjor.
Kolegji gjykues që po trajton këtë çështje është i përbërë nga Delushe Halimi (kryetare e kolegjit), Franciska Zhitija-Ymeri dhe Lumni Sallauka (anëtarë).
Sipas padisë, Oda Ekonomike e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Supreme që t’i shpallë të paligjshëm pjesërisht apo në tërësi aktet nënligjore normative që janë nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE).
Pra, përmes padisë, OEK ka kërkuar që të vlerësohet ligjshmëria e udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike (që parasheh rregullat që duhet ndjekur për kalim në treg të hapur), udhëzuesi i cili ishte plotësuar dhe ndryshuar për liberalizim në tregun e energjisë elektrike dhe njoftimi publik i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë.
Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të shfuqizohen disa nene nga udhëzuesit për plotësimin dhe ndryshimin e udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
“Pra përkundër se ZRRE nuk ka pasur ndonjë detyrim, e njëjta pa i konsideruar opsionet në dispozicion i ekspozon konsumatorët jofamiljarë pra 1,294 biznese private të përballen pa asnjë përgatitje të domosdoshme, qoftë organizative apo financiare, apo mbështetje financiare nga Qeveria të përballojnë të vetme barrën e papërballueshme financiare nga ngritja joproporcionale e çmimit të faturës që në rastin më të mirë është me efekt rritës prej 200% mbi çmimin paraprak për kilovat të energjisë së konsumuar dhe me kërkesa joligjore dhe imponuese nga KESCO për marrjen e një depozite në lartësinë e së paku 3 faturave të muajve paraprakë deri në 100% të vlerës së konsumit vjetor – pra pagesë avancë për shërbimin e papranuar”- thuhet në padinë e OEK.
OEK në padi ka thënë se KESCO ka bërë interpretime të njëanshme dhe të gabuara të kritereve që janë diskrimunuese në aspekt ligjor dhe të rregullativës që e rregullon sektorin e energjisë elektrike.
“KESCO ka bërë interpretim të njëanshëm dhe të gabuar të kritereve edhe ashtu diskriminuese dhe joproporcionale nga aspekti i së drejtës materiale – ligjeve dhe rregullativës që e rregullon sektorin e energjisë elektrike”- thuhet në arsyetimin e padisë.
Përmes padisë, OEK ka ngritur si shqetësim se si ka arritur operatori privat KESCO që të sigurojë qasje në të dhënat nga ATK për të pasur qasje në të dhënat konfidenciale të tatimpaguesit, të dhënat e qarkullimit dhe numrit të punëtorëve që i deklarojnë në sistemin ekonomik. Për këtë veprim, OEK ka thënë se duhet të ketë hetim penal.
Tutje, ka kërkuar që të shfuqizohet në tërësi akti i njoftimit publik të ZRRE-së mbi liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë.
Me padi ka kërkuar OEK që KESCO si furnizues universal të korrigjojë faturat e muajit qershor të shpërndarë gjatë muajit korrik të vitit 2025 dhe t’i shfuqizojë kontratat individuale të lidhura me konsumatorët jofamiljarë të nxjerrë si pasojë e bazës së re ligjore.
Sipas padisë, aktet normative të goditura në Gjykatën Supreme shpalosin arbitraritetin, paligjshmërinë në shpërputhje të plotë me ligjin dhe parimet themelore dhe të përgjithshme të drejtësisë.
Gjykata Komerciale, shkalla e parë, më 29.07.2025 kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili ka të bëjë me daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.
Nga data 01.06.2025 sipas vendimit të ZRRE-së bizneset e mëdha që kanë më shumë se 50 të punësuar ose më shumë se 10,000,000 euro qarkullim detyrohen që energjinë elektrike ta sigurojnë në tregun e lirë.
Kjo do të thotë se këto biznese duhet të gjejnë furnizues të energjisë elektrike dhe të nënshkruajnë kontrata me ta, sepse më nuk do të furnizohen nga KESCO, ashtu siç furnizohen shtëpitë dhe bizneset e vogla e të mesme.
Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vendosjen e këtyre bizneseve në treg të lirë, bizneset kanë kërkuar më shumë kohë për t’u përgatitur.
Periudha e tranzicionit ishte përcaktuar të jetë 60 ditë, që i bie deri më 01.08.2025.
Në anën tjetër, bizneset me në krye Odën Ekonomike të Kosovës e kishin kundërshtuar vendimin e ZRRE-së që bizneset e mëdha me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim nga data 1 qershor 2025 të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Më 29.05.2025 ata kishin mbajtur një protestë në Prishtinë, duke bllokuar pjesshëm të gjitha hyrjet në kryeqytet, si dhe një protestë tjetër më 11.06.2025, po ashtu në Prishtinë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) kishte njoftuar se ka ndërmarrë një hap ligjor përmes të cilit thonë se do t’i mbrojnë interesat e bizneseve anëtare dhe të gjithë sektorit privat në vend.
DHTIK kishte njoftuar se ka bërë padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për siç thonë ata shkelje të rënda ligjore dhe procedurale në vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Bizneset kanë filluar paditë duke kërkuar pezullimin e vendimit të ZRRE-së, ndërsa ka raste individuale që bizneset kanë fituar në Gjykatën Komerciale.