Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, Foto: REL
Protesta ndaj Ligjit të Zelenskyt kundër mekanizmave antikorrupsion
Presidenti Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një Projektligj, për të cilin kritikët thonë se dobëson pavarësinë e mekanizmave antikorrupsion të Ukrainës – duke shkaktuar protesta në disa qytete dhe nxitur kritika ndërkombëtare – raporton BBC.
Ligji i ri i jep Prokurorit të Përgjithshëm kontrollin e Zyrës Kombëtare Antikorrupsion (NABU) dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Antikorrupsion (SAPO), si dhe kritikët thonë se kjo cenon autoritetin e këtyre mekanizmave.
Në një adresim Zelensky ka thënë të mërkurën se dy Agjencitë “do të punojnë” ende, porse duhet të spastrohen prej “ndikimit rus”.
Pas aprovimit të Projektligjit njerëzit janë mbledhur në Kiev në protestën më të madhe antiqeveritare, prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Demonstrata ka pasur edhe në qytetet e Lvivit, Dnipros dhe Odesës.
“Ne kemi zgjedhur Europën, jo autokracinë.” – shkruante në njërën prej pankartave që e mbante një protestuese. “Babai im nuk ka vdekur për këtë.” – shkruante në një tjetër.
Kryeprokurori i Ukrainës Ruslan Kravchenko, luajal ndaj Zelenskyt, do të mund të rihetojë tani proceset nëse vlerëson se hetimet nuk janë kryer si duhet dhe do të mund të vendosë edhe për mbylljen e rasteve të hetimeve.
Në adresimin e tij pas mesnatës Zelensky ka kritikuar mungesën e efikasitetit të infrastrukturës antikorrupsion – duke theksuar se rastet kanë mbetur në sirtar pa u hetuar.
“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse këto raste penale që vlejnë miliarda kanë mbetur ‘varur’ për vite me radhë.” – ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Prokurori i Përgjithshëm do të sigurohet që askush të mos mbetet pa u ndëshkuar për shkelje të ligjit.
Për kritikët e legjislacionit, kjo bie ndesh me më shumë se një dekadë përpjekjesh pro-demokracie dhe antikorrupsioni.
Ishin pikërisht aspirata të tilla shkaktuan kryengritjen e Euromaidanit dhe rrëzimin e presidentit prorus Viktor Janukovich, në vitin 2014; pasuar nga pushtimi i Rusisë dhe vdekja e qindra-mijëra njerëzve.
Qeveria ukrainase ka cituar ndikimin rus për kufizimin e fuqive të NABU-së.
Një ditë para se të miratohej Ligji i diskutueshëm, Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kryen bastisje dhe arrestime duke synuar spiunët e dyshuar rusë në NABU.
Ky veprim ka ngjallur shqetësim midis aleatëve perëndimorë të Ukrainës.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com