Policia britanike, ilustrimi: pixabay
Britania arreston tre të dyshuar për ndihmë shërbimit rus të inteligjencës
Burra të moshës 44, 45 dhe 48-vjeçare, janë arrestuar prej Policisë Metropolitane bazuar në Ligjin për sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, ka raportuar të enjten (23.10.2025) gazeta londineze, “The Guardian”.
Tre burra, të moshës 44, 45 dhe 48-vjeçare, janë arrestuar në Londrën perëndimore dhe qendrore mëngjesin e së enjtes me dyshimin se kishin ndihmuar një shërbim rus inteligjence, si pjesë e atij që policia e ka quajtur hetim të vazhdueshëm të sigurisë kombëtare.
Ata janë paraburgosur bazuar në nenin e tretë të Aktit të Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur Policia Metropolitane, ndërsa bastisjet kanë vazhduar në adresat ku u kapën dhe në një vendndodhje tjetër në Londrën perëndimore.
Kombësia e burrave nuk u bë publike, por kreu i komandës kundër terrorizmit të Policisë Metropolitane ka treguar se të akuzuarit dyshohen se kanë vepruar si zëvendësues për një nga shërbimet e inteligjencës së Rusisë.
Komandanti Dominic Murphy, kreu i policisë kundër terrorizmit në Londër, ka deklaruar: “Po shohim një numër në rritje të atyre që ne do t’i përshkruanim si ‘të përfaqësuar’ që rekrutohen nga shërbimet e inteligjencës së huaj, dhe këto arrestime lidhen drejtpërdrejt me përpjekjet tona të vazhdueshme për të ndërprerë këtë lloj aktiviteti”.
“Kushdo që mund të kontaktohet dhe të tundohet të kryejë aktivitet kriminal në emër të një shteti të huaj këtu në Mbretërinë e Bashkuar, duhet ta mendojë dy herë”, ka thënë ai. “Ky lloj aktiviteti do të hetohet dhe kushdo që përfshihet mund ta presë se do të ndiqet penalisht dhe ka pasoja potencialisht shumë serioze për ata që dënohen”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com