Policia belge bastis Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm në operacionin kundër mashtrimit
Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), krahu diplomatik i Bashkimit Europian, dhe Kolegji i Europës janë bastisur të martën (02.12.2025) nga policia belge në kuadër të një hetimi kundër mashtrimit, ka raportuar televizioni Euronews.
Ambientet e Kolegjit të Europës në qytetin e Bruges, i cili merr fonde nga institucionet e BE-së, u kontrolluan gjithashtu si pjesë e operacionit.
U kontrolluan gjithashtu shtëpitë private të individëve në Belgjikë dhe tre persona u ndaluan.
Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) kërkoi aksionin e bastisjeve si pjesë e hetimit për mashtrim të dyshuar lidhur me një projekt trajnimi të financuar nga BE për diplomatë të rinj.
Në një deklaratë, EPPO ka bërë të ditur se hetimi është i përqendruar në Akademinë Diplomatike të Bashkimit Europian, një trajnim nëntëmujor për diplomatë të rinj dhe bazuar në një tender të BE-së ndarë Kolegjit të Europës në Belgjikë ndërmjet viteve 2021 dhe 2022.
Autoritetet po hetojnë nëse EEAS-i kishte shkelur rregullat e tenderimit duke ndarë informacion me Kolegjin para se projekti të jepej.
“Mund të konfirmojmë se policia ishte sot në ndërtesën e EEAS-së”, ka thënën një zëdhënës i BE-së të martën, duke specifikuar se hetimi në vazhdim lidhet me aktivitete që u zhvilluan “në mandatin e mëparshëm”.
Zëdhënësi nuk ka pranuar të komentonte nëse tre të dyshuarit e ndaluar ishin zyrtarë të BE-së.
Rektorja e Kolegjit të Europës është aktualisht Federica Mogherini, e cila ishte në krye të EEAS-së ndërmjet viteve 2014 dhe 2019. Ajo u pasua nga Josep Borrell, i cili në dhjetor 2024 u zëvendësua nga shefja aktuale e politikës së jashtme, Kaja Kallas.
Në deklaratën e saj, EPPO ka specifikuar se ka “dyshime të forta” se rregullat e BE-së mbi “konkurrencën e ndershme” u shkelën gjatë procesit të tenderimit dhe se “informacioni konfidencial lidhur me prokurimin në proces u nda me një nga kandidatët që morën pjesë në tender”.
Faktet “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional”, thuhet në deklaratën e EPPO-së. “Hetimi është duke vazhduar për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse është kryer ndonjë vepër penale”.
Euronews ka kontaktuar policinë belge për koment, por nuk ka marrë përgjigje.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com