Ndërtesa e Kongresit.
Kongresi voton për publikimin e dosjes Epstein, tani në duar të Trumpit
Të dy dhomat e Kongresit janë pajtuar që ta urdhërojnë Departamentit amerikan të Drejtësisë të publikojë dosjet e tyre për financierin abuzues seksual, Jeffrey Epstein, raporton BBC.
Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar me shumicë dërrmuese masën me votim 427-1 dhe Senati e ka përshpejtuar unanimisht pa votim formal.
Lëvizjet vijnë vetëm disa ditë pasi presidenti Donald Trump ndërroi mendje dhe i kërkoi Kongresit të votojë për publikimin e të dhënave pas kundërshtimit publik nga shumë prej mbështetësve të tij.
Trump dhe lidhjet e tij me Epsteinin u rikthyen javën e kaluar në titujt kryesorë pasi u publikuan më shumë se 20 mijë faqe dokumentesh – disa prej të cilave përmendnin presidentin. Shtëpia e Bardhë ka mohuar çfarëdo shkelje të mundshme.
Republikani Clay Higgins, nga Luiziana, ishte i vetmi kundërshtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe përmendi shqetësimin e tij për “lëndimin e njerëzve të pafajshëm” me publikimin e informacionit.
Ndërrimi i mendjes prejt Trumpit dhe rreshtimi i tij krah kongresistëve që donin që dosjet të publikoheshin për të thënë se nuk kishte “asgjë për të fshehur”, ka habitur shumëkënd në Uashington.
Udhëheqja republikane e Kongresit u kap në befasi pasi ishte krah presidentit gjatë javëve të fundit duke kundërshtuar publikimin.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e kishte quajtur vazhdimisht përpjekjen për të publikuar dosjet e Epsteinit si “mashtrim demokrat”.
Masa pritej të merrte disa ditë që të procedohej në Senatin e SHBA-së, por pas votimit me shumicë dërmuese në Dhomën e Përfaqësuesve, afati kohor u përshpejtua.
Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, e solli projektligjin në seancën e Senatit sipas procedurës me pëlqim unanim. Meqenëse askush nuk kundërshtoi, nuk pati debat dhe nuk iu shtuan amendamente projektligjit.
Projektligji do të dërgohet nga Senati në tavolinën e presidentit, ku pritet ta nënshkruajë atë për ta kthyer në ligj.
Nuk kërkohej mbështetje me votim në Kongres për të publikuar dosjet – Trump mund ta kishte urdhëruar publikimin vetë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com