Petrit Hajdari uron Ramiz Lladrovcin për fitoren në Drenas: Kjo është gara dhe demokracia
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari, i ka uruar fitoren kundërshtarit të tij politik, Ramiz Lladrovci, pasi ky i fundit u listua i pari nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ për zgjedhjet e 12 tetorit.
Hajdari tha se përgjatë fushatës ka bërë “të gjitha përpjekjet njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë”.
“DRENASIN E DUA EDHE KUR NUK FITOJ. Të dashur qytetarë të Drenasit, Ju falemnderit nga zemra të gjithëve për garën e jashtëzakonshme e demokratike që zhvilluam bashkërisht dje. Përgjatë kësaj fushate, kam bërë të gjitha përpjekjet njerëzore për t’i sjellë Drenasit një qeverisje të mirë në të cilën kam besuar fort. Ju falenderoj shumë të gjithë juve që më keni votuar e keni besuar tek unë, ekipi dhe vizioni ynë. Por, gara e demokracia është kjo dhe unë e respektoj verdiktin tuaj. Kundërkandidatin tim, Ramiz Lladrovcin, e uroj për fitoren dhe shpresoj që Drenasi të përjetojë zhvillim e suksese”- ka shkruar Hajdari më 13.10.2025 në “Facebook”.
Kryetari aktual i Drenasit dhe kandidati nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, Ramiz Lladrovci, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, e ka fituar garën për të parin e Drenasit me 52.31% të votave.
Radhitja e kandidatëve të tjerë:
– Petrit Hajdari (PDK) – 37.31%
– Egzona Tërdevci (LVV) – 4.01%
– Naim Bazaj (Për Drenas e Kosovë) – 2.49%
– Ajvaz Berisha (Bashkimi Demokratik) – 2.43%
– Gazmend Heta (LDK) – 0.70%
– Beqir Kiqina (AAK) – 0.70%
Në këtë rezultat nuk janë llogaritur votat nga jashtë, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Risia e këtyre zgjedhjeve ishte që për Drenasin, kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, garoi jashtë petkut të Partisë Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës ka qenë që nga themelimi i saj. PDK zgjodhi të garoi me Petrit Hajdarin, një ish-asamblist dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 09.02.2025.