Xhevahire Izmaku dhe Famir Limaj nga Nisma Socialdemokrate në njërën prej seancave për konstituim të Kuvendit. Foto: REL
NISMA e PDK mbeten të ndara, Izmaku: Marrëveshja për bashkim nuk ka ndodhur
Deputetja e legjislaturës së nëntë nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku ka lënë të kuptohet se kjo parti nuk do t’i bashkëngjitet ndonjë partie tjetër për zgjedhjet e parakohshme, por do të vazhdojë si e vetme.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka shkruar se një marrëveshje për bashkim nuk ka ndodhur.
“Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite. Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi.”- ka shkruar Izmaku.
Megjithatë, ajo ka shtuar se NISMA do ecë përpara, e pavarur e nën lidershipin e Fatmir Limajt.
“Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve. Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë; politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm”- ka shkruar Izmaku.
NISMA Socialdemokrate u certifikua për të marrë pjesë në zgjedhje, më 03.12.2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Kjo parti ishte në bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të bërë koalicion parazgjedhor.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kishin zhvilluar një takim më 27.10.2025.
Abdixhiku ishte shprehur se takimi ishte i shkëlqyeshëm.
“Një takim i shkëlqyeshëm me një mik të shkëlqyeshëm”- tha ai. I pyetur nëse kanë folur për zgjedhje të reja apo për balotazh, ai tha: “Me pasë deshtë ju me e ditë, ju kishim thirrë brenda në takim”.
E, i pari i NISMA-s, Limaj nuk foli pas këtij takimi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ishte shprehur i hapur që NISMA të i bashkohet në listën zgjedhore kësaj partie.
Abdixhiku pasi u nominua kandidat për kryeministër, më 24.11.2025 tha se LDK ka vendosur që në këto zgjedhje të garojë e vetme, por do të zhvillojë diskutime me individë, akterë, e besa edhe me parti politike që mund të jenë pjesë e listës së LDK-së.
“LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vet ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe z. Limaj me deputetët e vet. Për këto do të diskutohet në ditët në vijim. Ne jemi të hapur edhe për parti të tjera si Demokristianët, Partinë e Drejtësisë, Aleancën e z. Pacolli… Pra, ne jemi të hapur edhe për parti por edhe për individë. Për këto informacione do të njoftoheni në ditët në vijim”- tha ai.
Gjatë ditëve të fundit është folur për mundësinë e bashkëpunimit mes NISMA-s dhe Partisë Demokratike të Kosovës por që as ky bashkëpunim nuk ndodhi.
Bedri Hamza, në një konferencë për media më 26.11.2025, mohoi të jetë takuar me Fatmir Limajn..
Në zgjedhjet e 09.02.2025, NISMA garoi në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më ç’rast si koalicion morën 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës, 5 AAK e 3 NISMA.
Ky koalicion u prish pasi që Fatmir Limaj, i pari i NISMA-s doli hapur për një bashkëpunim me Albin Kurtin e LVV-në për formimin e një qeverie, gjë e cila u kundërshtua nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 28.12.2025.
Herën e fundit kur NISMA kishte garuar si të vetme në zgjedhje, kanë qenë zgjedhjet e 14.02.2021. Në ato zgjedhje NISMA mori 2.52% të votave.