Presidentja Vjosa Osmani. Foto: Presidenca e Kosovës.
Osmani dënon thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut: Shqiptarët janë autokton dhe duhet të trajtohen me dinjitet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë me deklaratë kundër thirrjeve antishqiptare në ndeshjen e basketbollit Maqedoni e Veriut-Rumani.
Thirrjet e dëgjuara në Kumanovë, sipas saj, janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që “duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike dhe me aspirata evropiane”.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër” – ka deklaruar Osmani mes tjerash.
Presidentja kosovare e sheh si më shqetësuese që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese.
Kjo sipas saj, lë hapsirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën drejt BE-së.
“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen” – ka deklaruar tutje Osmani.
Presidentja e vendit u ka bërë thirrje institucioneve të RMV-së që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të thirrjeve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje.
Osmani ka kërkuar që masat të ndërmerren duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes, duke mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës.
“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë” – thuhet tutje në deklaratë.
Më 02.08.2025 u luajt ndeshja Maqedoni e Veriut-Rumani në kuadër të parkualifikimeve të Kupës së Botës në basketboll.
Në media është raportuar që gjatë ndeshjes ka pasur thirrje antishqiptare dhe thirrje për vdekjen e shqiptarëve.
Sipas raportimeve të mediave, të pranishëm në tribuna ishin edhe kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski si dhe disa anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar në RMV.
Gjatë zgjedhjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut, disa parti shqiptare u bashkuan në një koalicion të quajtur VLEN.