Foto: ZPRK
Presidentja Osmani takoi të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Ato kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 28.12.2025.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e organizimit të rregullt dhe transparent të zgjedhjeve. Ajo ka deklaruar se është e domosdoshme “mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe respektimi i standardeve më të larta demokratike, për çka Kosova tashmë është shembull”.
“Në takim u diskutua edhe për seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA mbi zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, si dhe u trajtuan gjithashtu edhe çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 04.12.2025.
Presidentja Osmani ka ritheksuar edhe një herë rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar në forcimin e këtij raporti.