Njeriu i dytë në Qeverinë "Kurti 2", jashtë listës së re të liderit të LVV-së
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nuk ishte në mesin e emrave të propozuar nga Albin Kurti, për kabinetin e ri qeveritar, i cili dështoi t’i marrë votat e nevojshme në Kuvend më 26.10.2025.
Edhe pse numri i ministrive u rrit nga 15, sa kishte Qeveria “Kurti 2”, në 19 në qeverinë e propozuar së fundmi, Bislimit- i cili në Qeverinë “Kurti 1” ka mbajtur postin e ministrit të Financave, nuk iu besua asnjë pozitë në kabinetin e pretenduar “Kurti 3”, ndonëse dikur ishte njeriu i dytë për nga pozita në Lëvizjen Vetëvendosje dhe vazhdon të jetë i dyti edhe në qeverinë e tanishme- në detyrë.
Si zyrtar i lartë i LVV-së, ai nuk ishte as pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025.
Bislimi ka qenë i ngarkuar nga Kurti me procesin e dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë Bislimin për të kuptuar nëse “mbetja jashtë listës së Kurtit për qeveri” ishte vendim i tij apo i partisë.
Megjithatë, as ai dhe as këshilltari i tij, Klisman Kadiu, nuk kanë qenë të qasshëm deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Herën e fundit kur Bislimi ka marrë pjesë në takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ka qenë 11 shtatori 2025.
Në një konferencë për media pas takimit, ai ka deklaruar se nuk kanë arritur ta themelojnë Komisionin e Përbashkët për personat e zhdukur me forcë.
Serbia, siç tha Bislimi, me gjasë është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kanë përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe njëherë të ndërhyjnë në dokument, por që kjo nuk është pranuar as nga Brukseli as nga Kosova.
Në listën e re të Kurtit nuk është përfshirë as ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Kurtit, propozimi për Qeverinë e re nuk i kaloi në Kuvend, kjo pasi që nga 61 votat e mjaftueshme për të kaluar, propozimi i tij mori vetëm 56 vota për, kurse kundër ishin 52 dhe abstenuan 4 të tjerë.
Tash, presidentja Vjosa Osmani, brenda 10 ditësh do të vendos se kujt do t’ia jap mandatin për formimin e Qeverisë, sipas procedurës së njëjtë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.