Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com
Nga 103 raporte të auditimit financiar, ZKA evidenton 69 raste me elemente të dyshimit për shkelje
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2024 si dhe rezultatet individuale të nëntë auditimeve të performancës dhe tetë auditimeve të pajtueshmërisë.
Në konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendësauditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj u bë e ditur se Raporti Vjetor për vitin 2024 është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Spanca tha se ky raport vjetor përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2024, si dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të sezonit auditues 2024-2025.
Spanca tutje theksoi se për Raportin Vjetor është dhënë opinion i kualifikuar, për shkak se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2024 ishte materiale.
“Çështjet kryesore që kanë ndikuar në këtë opinion janë: klasifikimi jo i duhur i shpenzimeve në vlerë prej 35 milionë euro; mbivlerësimi i pasurive në organizatat buxhetore në shumën afër 27 milionë euro; nënvlerësimi i llogarive të arkëtueshme për rreth 900 mijë euro; nënvlerësimi i detyrimeve të papaguara për afër 2 milionë euro; si dhe mbivlerësimi i detyrimeve kontingjente nga paditë gjyqësore në vlerë afër 4.3 milionë euro” – tha auditorja.
Spaca tha se “Zyra Kombëtare e Auditimit ka realizuar me sukses planin vjetor të Auditimit për sezonin 2024-2025, duke përfunduar 127 auditime, prej tyre 87 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 9 auditime për ndërmarrjet publike, 12 auditime të performancës, 12 të pajtueshmërisë (3 të nivelit të klasifikuar të informacionit), si dhe 7 auditime të projekteve të Bankës Botërore”.
Për këto auditime ZKA-ja ka dhënë gjithsej 945 rekomandime dhe niveli i zbatimit ka mbetur i ulët, vetëm 37%, duke reflektuar regres në përmirësimin e praktikave institucionale.
Zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj tha se nga 103 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë për sezonin 2024-2025 janë evidentuar 69 raste me elemente të dyshimit për shkelje dhe parregullsi.
“37 raste në prokurimin publik, 19 raste në subvencione dhe transfere, 8 raste në investime kapitale, 4 raste në paga dhe mëditje dhe 1 rast në të hyrat. 47 raste vijnë nga komunat, 12 raste nga ministritë, 7 raste nga ndërmarrjet publike dhe 3 raste nga institucione të tjera”- deklaroi Halilaj.