Vlora Spanca -Auditore e Përgjithshme. Foto: KALLXOc.om
Auditorja e Përgjithshme: Parregullsi në raportimet financiare të institucioneve, 11 raste në Prokurori
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dërguar informacione në Prokurori për 11 raste që lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të katër raporteve të auditimit të performancës për 2024/2025.
Kështu tha në një konferencë për media më 04.07.2025, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
“Janë tri raporte të auditimit të përformancës, është raporti që ka të bëjë sektorin e ndërtimit në Komunë e Prishtinës, rehabilitimi i infrastrukturës hekurudhore – linja 10, si dhe raporti i auditimit që ka të bëjë me kompaninë e menaxhimit të mbeturinave apo deponive – KMDK-ja. Po ashtu është edhe një rast i cili është identifikuar gjatë auditimit në një prej ndërmarrjeve publike e cila nuk ka qenë në fushëveprimin e auditimit, po që ne e kemi vlerësuar se është interes të venit që të trajtohet dhe hetohet çështja më tutje”- tha Spanca.
Sipas saj ZKA-ja ka arritur të realizojë dhe publikojë auditimet për 96 organizata buxhetore, 49 prej tyre, siç ka thënë ajo, janë të nivelit qendror dhe 38 të nivelit lokal-komunat si dhe 9 raporte të ndërmarrjeve publike.
Po sipas Auditores së Përgjithshme, për raportet e auditimit janë dhënë 765 rekomandime, 413 për nivelin lokal, 194 për nivelin qendror dhe 158 për Ndërmarrjet Publike. 366 janë rekomandime të reja, 353 të përsëritura dhe 46 pjesërisht të përsëritura.
“Pavarësisht rekomandimeve të dhënë dhe komunikimeve me të gjitha nivelet rezultatet e aduditimit tregojnë se cilësia e raportimit financiar dhe ekzekutimit të buxhetit ende nuk është e mirë”- ka thënë Spanca.
Te niveli qendrore, sipas Spancës kanë qenë të shumta çështjet që kanë ndikuar për opinion të kualifikuar sipas ZKA-së, si: kualifikimi jo adekuat i shpenzimeve, regjistrat jo të sakat të pasurive jo financiare, prezantim jo të saktë të llogarive të arkëtueshme dhe detyrimet kontingjente, pagat e punëtorëve në mungesë së dëshmimeve për vijueshmëri, pastaj veprime jo ligjore sa i përket investimeve kapitale e subvencioneve, etj.
Kurse, ndër faktorët kyç që ndikuan në dhënien e opinionit të kualifikuar për 38 komuna, sipas Spancës ishin mangësitë në regjistrimin e pasurive si dhe keqklasifikimi i shpenzimeve.
Ajo ka thënë se ZKA është në proces të analizimit për identifikimin dhe adresimin e të çështjeve me elemente të veprave penale në raportet e prezantuara të auditimit.