Foto: LVV
Në prill tentoi ta ndryshojë Ligjin për zgjedhjet, Kurti tash thotë se nuk preferohet të ndodhë tani
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se dy muaj para zgjedhjeve lokale nuk preferohet ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet, sa i përket procedurave për votim nga ana e diasporës.
Por ndryshe kishte menduar Qeveria dhe partia e Kurtit në prill të këtij viti, kur vendi gjendej mes zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare.
Qeveria synoi të ndryshojë Ligjin për zgjedhjet pak para zgjedhjes së Vjosa Osmanit në krye të Presidencës.
Qeveria ia kishte proceduar Kuvendit ndryshimet në këtë ligj, por nisma ishte tërhequr pas reagimeve të shumta përfshirë opozitën.
Kjo e fundit këto veprime i kishte quajtur shantazh ndaj tyre, në rast se nuk do të votohej për presidente Vjosa Osmani dhe vendi të shkonte në zgjedhje, në mënyrë që t’u mundësohej votimi diasporës nëpër ambasadat e Kosovës në vendet përkatëse.
Ndërkaq të martën përmes një video-mesazhi Kurti i bëri thirrje diasporës të regjistrohet për votim në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ai theksoi se kanë synim që kjo të jetë hera e fundit e mënyrës së votimit të diasporës me procedurat e tanishme sipas ligjit.
“Të nderuar bashkatdhetarë, kur na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet nuk preferohet ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet. Edhe në këto zgjedhje na presin të njëjtat procedura të votimit si në të kaluarën me synimin që kjo të jetë hera e fundit e mënyrës së vështirë për votim nga jashtë. Prandaj është me rëndësi t’u përmbahemi afateve dhe t’i respektojmë procedurat”, ka thënë mes tjerash kryeministri.
Sipas Kurtit, mërgata ka qenë gjithmonë forca e ndryshimeve të mëdha politike dhe garantuese e mbijetesës sociale të Kosovës.