Murati i reagon Abdixhikut: E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë?
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i ka reaguar të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në lidhje me postimin e tij të fundit, ku tha se LDK ka qenë e gatshme të votojë “pakon” e propozuar nga Presidentja Osmani, për çështjet që tani kanë mbetur pezull: zgjatimin e buxhetit, Pakon e Rritjes, buxhetin për RTK dhe për komunat.
“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë? Deri dje keni thënë se seanca ka qenë anti-kushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës. Kjo është tallje me qytetarët”- ka shkruar Murati në Facebook.
Kuvendi i Kosovës më 20.11.2025 ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për formimin e komisioneve parlamentare dhe shqyrtimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, mirëpo ish-opozita nuk mori pjesë në seancë, pos deputetit të PDK-së, Përparim Gruda.
Gjatë paradites më 25.11.2025, Abdixhiku ka deklaruar se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i ka shprehur gatishmërinë presidentes Vjosa Osmani që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe ‘Pako e Presidentes’, e që parashihte: zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, votimin e Ligjeve të buxhetit për Prishtinën e Gjilanit, sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe votimin e Pakos Europiane të Rritjes.
Në po atë mbrëmje (më 4 nëntor), sipas Abdixhikut, Presidentja e ka kontaktuar, duke i thënë se ka komunikuar me mandatarin (Konjufcën), dhe ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe se sipas tij, në Vetëvendosje janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.
Sipas Abdixhikut, në ato momente ka kontaktuar Memli Krasniqin që ishte atëkohë kryetar i PDK-së, Ramush Haradinajn si kryetar të AAK-së, dhe Fatmir Limajn si kryetar të Nismës.
Kështu ka reaguar Abdixhiku, pas një deklarate të presidentes Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë kishte deklaruar se ka bërë “çdo përpjekje për ta shtyrë përpara dhe të gjejë një zgjidhje, por janë partitë e ish-opozitës që nuk pranuan dhe refuzuan të kthehen dhe njëherë në Kuvend para se ta nënshkruante dekretin për shpërndarje.”
I pari i LDK-së ka thënë se 15 ditë më pas nuk ka pasur asnjë komunikim, “përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar”.
“E vërteta është kështu – dhe për këtë qëndroj para vendit dhe Zotit”- ka nisur ai postimin e tij.
I pari i LDK-së ka thënë se po habitet me sa lehtësi po fshihet tash “ky fakt dhe kjo e vërtetë”.
“E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore”, ka shkruar ai.
“Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gadishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht.Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë”- ka shtuar Abdixhiku.
Vendi po shkon në zgjedhje tri ditë para festës së Vitit të Ri, më 28 dhjetor, pa buxhet të ri për vitin 2026, duke lënë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) pa paga, tri komuna pa buxhet të miratuar, pa milionat nga marrëveshjet ndërkombëtare nga Plani i Rritjes dhe Banka Botërore.
Të gjitha këto çështje duhet të kalohen në Kuvend, kurse marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen. Pa një legjislativ të formuar, ato mbesin pa zgjidhje në Kuvend. As përpjekja për të formuar komisionet parlamentare edhe pa u zgjedhur Qeveria, nuk gjeti pajtueshmëri mes partive, duke u cilësuar si jo-kushtetuese nga opozita.
Pjesa më e madhe e vitit 2025, u shpenzua në përpjekjet për konstituimin e Kuvendit dhe në fushata zgjedhore, më shumë sesa në zhvillimin e punëve të rregullta institucionale. Seanca konstutive që filloi më 15 prill përfundoi tek në gusht me zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar më 26 gusht.
Sa pati shpresë që kaloi ngërçi politik, vazhdoi saga për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb deri më 11 shtator. Rreth një muaj më vonë, më 26 tetor dështoi formimi i Qeverisë me mandatarin e parë, Albin Kurti. Kurse, më 20 nëntor dështoi edhe përpjekja për ta zgjedhur mandatarin e dytë, Glauk Konjufca.
Për shkak të kësaj situate, tri aktgjykime dolën nga Gjykata Kushtetuese në muaj të ndryshëm në përpjekje për zgjidhje për konsitutimin e Kuvendit, kohë pas kohe duke u vendsosur masa të përkohshme. Edhe një ankesë është dorëzuar në Kushtetuese nga Lista Serbe, mirëpo ende nuk është publikuar.
https://kallxo.com/lajm/abdixhiku-i-pergjigjet-osmanit-ldk-ka-qene-e-gatshme-ti-votoje-ceshtjet-qe-kane-mbetur-pezull/