Sylejman Meholli, LVV
Meholli: Ferit Idrizi tentoi që përmes viktimizimit e shpifjeve të dalë i kërcënuar
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka reaguar pas pretendimeve të Ferit Idrizit se e ka kërcënuar.
Kundërkandidati i tij për Vushtrrinë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferit Idrizi, ka pretenduar se u kërcënua nga Mehollli, pas përfundimit të emisionit “Debat Përnime” në përballjen për balotazhin.
“Pasi jemi përshëndetë që dola jasht, ai erdhi dhe filloi të shajë dhe të bërtasë, ishte shumë i tensionuar dhe më kërcënoi, më tha: “kam me të ndjekë familjarisht”- ka thënë Idrizi për KALLXO.com.
Këtë e ka kundërshtuar Meholli përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”.
Meholli tha se Ferit Idrizi tentoi që përmes viktimizmit e shpifjeve të dalë i kërcënuar.
“Tentoj të më kërcnoj e friksoj me atë që vet i friksohet! Kur nuk i eci plani i friksimit e kërcnimit që nuk do t’i ecën asnihere pas emisionit që e humbi tentoj që përmes viktimizimit e shpifjeve të dal si i kërcnuar!”- ka shkruar Meholli.
Tutje, Meholli i LVV-së në shkrimin e tij është shprehur se do të bëjë padi për këtë.
“Nuk ka shpifje që na ndalon drejt fitores! Qytetarë të dashur vlerësojeni vet! Shpifjeve do i përgjigjem me padi siç e kam thënë publikisht!”- deklaron Meholli.
Në anën tjetër, Idrizi është deklaruar se rastin e ka paraqitur në Polici.
Ndërsa, dëshmitar i ngjarjes ishte edhe kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi. Ai thot se pas përfundimit të emisionit ka pasur një fjalosje mes dy kandidatëve. “Pas debatit ka pasur një fjalosje mes dy kandidatëve, e cila nga kandidati Ferit Idrizi është interpretuar si kërcënim. Z. Idrizi ka njoftuar policinë dhe ne kemi përshkruar ngjarjen ashtu siç ka ndodhur”- ka deklaruar Gashi.
Për pretendimet e Idrizit, KALLXO.com ka tentuar disa herë që të marrë një pronocim edhe nga Sylejman Mehollin, por ai e ka ndalur telefonin dhe nuk është përgjigjur.
Por, për përplasjet që ka pasur me Ferit Idrizin gjatë emisionit “Debat Përnime”, Meholli ka reaguar permes rrjeteve sociale me një shkrim.
https://kallxo.com/lajm/ferit-idrizi-pretendon-se-u-kercenua-dhe-ofendua-nga-sylejman-meholli/
Ndryshe, për kryetar të Komunës së Vushtrrisë në balotazh janë kandidati i PDK-së dhe kryetari aktual, Ferit Idrizi dhe kandidati i LVV-së, Sylejman Meholli.
Ndërsa, në zgjedhjet e mbajtura më 12.10.2025, Ferit Idrizi i PDK-së mori 45.56% të votave, ndërsa Sylejman Meholli i LVV-së mori 30.63%.
Emisioni “Debat Përnime” u transmetua sonte, më 29.10.2025, në RTV Dukagjini dhe në kanalin YouTube të KALLXO.com.