Asfaltimi i rrugës "Ali Zeneli" në Mitrovicë të Jugut, 21.08.2025- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Më në fund rregullohet rruga "Ali Zeneli" që u shkaktonte telashe mitrovicasve
Telasheve të qytetarëve mitrovicas që e frekuentojnë rrugën “Ali Zeneli” duket se u ka ardhur fundi.
Pas shumë vitesh të përballjes me probleme me kanalizim, ujërat e zeza, pluhur, gropa në rrugë, mitrovicasit e kësaj zone sot, më 21.08.2025, kanë parë që këto sfida po marrin fund.
Kjo pasi që sot është vendosur shtresa finale e asfaltimit të kësaj rruge.
E sipas komunarëve përfundimi i këtij projekti do të bëhet javën e ardhshme.

Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Granit Tmava, tha se ky projekt do të ndihmojë në përmirësimin e jetesës së banorëve dhe qarkullimin më të lehtë të qytetarëve që frekuentojnë këtë rrugë.
“Kemi filluar me asfaltimin e shtresës së dytë të rrugës “Ali Zeneli”. Kjo rrugë ka pasur probleme të shumta, në qarkullim, pengesa gjatë reshjeve, sfida me ujërat e zeza… Tani vetëm jeni në përfundim të këtij ndryshimi të madh. Ne po e hapim një kapitull të ri për qytetarët tanë. Brenda dhjetë ditëve do të bëhet përfundimi”- tha ai.
KALLXO.com ka raportuar që nga muaji maj për problemet me të cilat përballeshin qytetarët.
Drejtori Tmava tha se çdo gjë shkoi në kohë dhe sipas planit dinamik.
“Ka qenë sfidë për më shumë se dy dekada. Këto sfida sot nuk ekzistojnë asnjëra. Ka shkuar në kohën e planifikuar buxhetore e planit dinamik të punës. Për më pak se tre vite ne po vijmë drejt finalizimit. Kemi pasur edhe sfidën tjetër, për më shumë se 40 prona janë të shpronësuara në rrugën “Ali Zeneli””- përfundoi drejtori.


Kujtojmë se në shtator të vitit 2024, kanalizimi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicës të Jugut po paraqiste problem për banorët e kësaj ane.
Qytetari Mensur Ademi thoshte se telashet në këtë rrugë rezultonin edhe me kundërmimin. E kur kishte reshje atmosferike, më keq e përjetonin qytetarët.
“Ka me muaj që i lënë mjetet e punës këtu, traktorin, bagerat e kurrkush nuk punon sen, e rruga u mbetë krejt gjysë-gjysë”- pati thënë Ademi.
Më 21.05.2024, KALLXO.com raportoi se banorët e rrugës “Ali Zeneli” në Mitrovicë të Jugut ishin në hall me ‘zvarritjen’ e punimeve.