Arian Tahiri dhe Ergin Kani - Foto: Arian Tahiri/ Facebook
PDK dhe Kosova Demokratik Turk Partisi nënshkruajnë koalicion në Mitrovicë të Jugut
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP) kanë arritur marrëveshje për ta përkrahur kandidatin e PDK-së në balotazhin për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Kështu ka njoftuar kandidati për të parin kësaj Komune nga radhët e PDK-së, Arian Tahiri, i cili e falënderoi për bashkëpunimin Ergin Kanin.
“Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë” – potencoi Tahiri.
Për kryetar të Mitrovicës së Jugut në garën e balotazhit janë Arian Tahiri nga PDK dhe Faton Peci nga LVV.
Bazuar në rezultatet e përmbledhura të KQZ-së, Faton Peci prin me 47.94 për qind ose 15,830 vota, ndërsa Arian Tahiri ka fituar 47.57 për qind, 15,708 vota.
I treti në listë është Gëzim Plakolli nga LDK me 3.71 për qind apo 1,225 vota.
I katërti është Qazim Nimani nga AAK me 0.77 për qind apo 255 vota.
Në rundin e dytë, më 09.11.2025, do të përballen kandidati i LVV-së dhe ai PDK-së.