Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut, Foto: Komuna e Mitrovicës
LVV lëshon sallën pasi u miratua buxheti i Komunës së Mitrovicës së Jugut
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka miratuar buxhetin për vitin 2026 dhe parashikimet për vitet 2027 dhe 2028.
Anipse Lëvizja Vetëvendosje kundështoi këtë pikë dhe liroi sallën, buxheti prej 32 milionë e 418 mijë e 756 euro u aprovua.
Kjo u bë e mundur me 21 vota për, 5 kundër dhe 0 abstenime.
Kundërshtimet e subjektit politik Vetëvendosje për buxhetin e Komunës
Gati secili që merrte fjalën nga ky subjekt thoshte se nuk do ta vononte.
Faruk Mujka propozoi të largohet pika e buxhetit të hartës zonale dhe të futet pika e raportit të auditimit.
E kryetari i Komunës, Bedri Hamza qëndroi prapa asaj që ky buxhet duhet të votohet duke ua kujtuar të pranishmëve në sallë, se sipas tij, gjatë qeverisjes ka paguar 13 milion euro nga borxhet e ekzekutivit të kaluar.
“Sa i përket buxhetit, kërkesa ime ka qenë kjo, ta procedojmë në kohë. Kërkesa ime ka qenë që asnjë obligim mos të jetë kontraktual, asnjë kontratë aktive mos të jetë e pambuluar në aspektin financiar. Nuk ka qenë mandat i lehtë sepse jemi përballur me situatë ku i kemi paguar mbi 13 milion detyrime të prapambetura. Pjesa më e madhe e tyre janë rezultat i kontratave kolektive”- tha Hamza.
Në anën tjetër asamblisja Elidiana Budini potencoi se në gjimnazin “Frang Bardhi” dhe në Shkollën Ekonomike “Hasan Prishtina” nuk u investua, ndonëse të hollat ishin ndarë.
“Vitin e kaluar kemi votuar 600 mijë euro, për shkollat e njejta dhe prapë nuk u investua. Kam shpresuar se do të bëhet diçka në këto dy shkollat e mëdha të Mitrovicës dhe nuk ka ndodhur asnjë ndryshim ende. Kemi votuar edhe tabelat digjitale të paktën për disa shkolla, gjë që nuk ka ardhur. Arma më e fortë sot për sot në shkollat e Mitrovicës po mbetet përsëri shkumësi”- potencoi ajo.
I pari i Komunës së Mitrovicës së Jugut pohoi se projektet për dy shkollat e mesme nuk përfunduan ndërkaq pretendimet se nuk ka pasur investime në arsim i mohoi.
“A u kry gjimnazi jo, a u kry shkolla e muzikës jo, a është aprovu në buxhet po. Andaj jam shumë real në këtë çështje dhe ke shumë të drejtë. Pajtohem me kritikat dhe propozimet tua por nuk pajtohem me konstatimin tuaj se nuk u punua në arsim sepse faktet thonë ndryshe”- theksoi Hamza.
Shkollat fillore, Elena Gjika, Eqrem Qabej, Skënderbeu, Migjeni, pajisjet me laboratore e çerdhet, ishin ndër invesimet në arsim që përmendi sot Hamza.
Si përfundim ai u shpreh falënderues ndaj ekzekutivit dhe legjislativit për punën e tyre gjatë këtyre katër viteve.