"Me kërkesë të familjes"- Ukë Rugova futet në listën e LDK-së për zgjedhjet e parakohshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar për përfshirjen e Ukë Rugovës në listën për deputetë për zgjedhjet që do të mbahen më 28.12.2025.
Abdixhiku ka thënë se ka pranuar kërkesën e familjes Rugova për të bërë Ukë Rugovën, djalin e Presidentit Ibrahim Rugova, pjesë të listës.
“Sot, në 81-vjetorin e lindjes së arkitektit dhe prijësit tonë, vizitova zonjën Fana dhe Familjen Rugova. Në këtë vizitë zyrtarizuam dhe përfshirjen e Ukës në garën e radhës”- ka thënë Abdixhiku.
Ai ka shkruar se me Fana Rugovën, bashkëshorten e Presidentit Rugova, në ditëlindjen e tij, ka folur për rrugën e filluar nga Rugova që prej 30 vjetësh, sakrificat e heshtura që Abdixhiku ka thënë se e ndoqën, vendosmërinë që nuk u thye asnjëherë, sipas tij edhe kur Kosova ishte në ushëkryqin më të rrezikshëm të historisë moderne.
“Dhe sot, kur shteti ynë përballet me sfida të reja, mesazhi i Rugovës mbetet po ai: forcë paqësore, përkushtim demokratik, orientim të pandryshuar drejt botës perëndimore”- shkroi Abdixhiku.
Për 81 vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës, Abdixhiku ka thënë se ishte njeriu që ktheu ëndrrën e lirisë në projekt politik, ndërtoi shtetin dhe vendosi Kosovën në hartën e botës si çështje të drejtë, arsyeshme dhe të domosdoshme.
“Ai nuk ishte produkt i kohës së vet; ai ishte përpara kohës së vet. Rugova lindi në një familje të përndjekur; i mbijetoi dhimbjes së hershme, humbjes së babait dhe gjyshit, represionit e varfërisë. Por nga ai sfond i rëndë doli njeriu më i qetë, më i butë dhe njëkohësisht më i pathyeshmi që kanë njohur shqiptarët në shekullin e fundit”- ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka përkujtuar se Rugova nisi si studiues e intelektuan dhe gjatë jetës së tij formësoi mendjen që më vonë të projektonte Kosovën drejt Perëndimit, në mënyrë të pastër dhe të guximshme.
Në vitin 2989, Abdhxihiku tha se kur u bë thirrje e madhe, Rugova la letërsinë për t’u bërë “mburojë e një kombi”.
“Nga aty lindi LDK-ja. Dhe nga LDK-ja, lindi rruga e shtetformimit modern shqiptar në Kosovë. Rruga e tij nuk ishte vetëm politikë. Ishte civilizim. Ishte mënyrë europiane e të menduarit. Ishte kulturë, edukim, diplomaci e urtësi. Ishte projekti i një Kosove që sot e gëzojmë të gjithë”- shkroi Abdixhiku.
Ukë Rugova, më 30.03.2023 është liruar nga akuza lidhur me rastin e Vizave Italiane.
Sipas prokurorisë Rugova së bashku me Astrit Haraqijajn, Qefser Bahollin, Izet Beqirin kishin marrë pjesë në sigurimin e vizave italiane për së paku 500 persona.
Mirëpo Gjykata ka dënuar Ukë Rugova me 6 mijë euro për veprën penale armëmbajtës pa leje.
Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani janë personat e akuzuar në grupin e parë i njohur si rasti “Ukë Rugova”.
Të lartë cekur akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë kishin ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.
Në të kaluarën, pjesë e Kuvendit kishte qenë edhe Ukë Rugova, i cili kishte garuar përmes “Listës Rugova” në koalicion me AAK-në në vitin 2010.
Teuta Rugova, vajza e Ibrahim Rugovës dhe motra e Ukës ka qenë për dy mandate deputete e LDK-së. Ajo njihet për mungesat e shumta në seancat e Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të mbahen më 28.12.2025.