Mblidhet Kryesia e LDK-së, pritet të caktohet kandidati për kryeministër
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur mbledhjen e Kryesisë, ku ndër të tjera pritet të caktohet kandidati për kryeministër për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Për zgjedhjet e 9 shkurtit, kandidat ka qenë kryetari Lumir Abdixhiku.
Në rend dite janë gjashtë pika.
Rendi i ditës përfshin diskutimin për rezultatet dhe vlerësimet e zgjedhjeve të fundit lokale, përfshirë paraqitjen e rezultateve përfundimtare, analizën politike dhe organizative të fushatës, identifikimin e pikave të forta dhe dobësive, si dhe vlerësimin e performancës së degëve dhe kandidatëve.
Në mbledhje do të trajtohet edhe nominimi i kandidatit të LDK-së për Kryeministër, përmes paraqitjes së propozimeve, diskutimeve të anëtarëve të Kryesisë dhe zhvillimit të procedurës së votimit deri në miratimin e kandidaturës.
Pjesë e rendit të ditës janë edhe përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, duke përfshirë hartimin e planit të fushatës, përcaktimin e strukturave organizative dhe Shtabit Zgjedhor, mobilizimin e degëve dhe nëndegëve, si dhe planifikimin e komunikimit publik dhe mesazheve strategjike.
Po ashtu, parashihet thirrja e Këshillit të Përgjithshëm, caktimi i datës dhe agjendës, përgatitja e materialeve dhe dokumenteve zyrtare, si dhe zbatimi i procedurave statutare.
Në fund, siç paralajmërohet, do të trajtohen edhe çështjet e tjera, përfshirë përvjetorin e themelimit të LDK-së, çështje të ndryshme të ngritura nga anëtarët e Kryesisë dhe çdo vendim plotësues sipas nevojës.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 28 dhjetor, pas dy përpjekjeve për formimin e Qeverisë nga rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
https://kallxo.com/gjate/nga-zgjedhjet-ne-zgjedhje-nje-vit-i-humbur/