"Mashtrim elektoral": Krerët e ish-opozitës kritikojnë miratimin e projektbuxhetit nga qeveria në detyrë
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar Projektligjin e buxhetit për vitin 2026, duke përfshirë rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagës minimale për sektorin privat.
Mirëpo, ky vendim i qeverisë në detyrë është përcjell me kritika nga krerët e partive opozitare, të cilët nuk e shohin këtë si “politikë reale për mirëqenien e qytetarëve”.
‘Thes i mashtrimeve të babadimrit’ e ka quajtur vendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Përmes rrjeteve sociale, Krasniqi është shprehur se as në këtë mënyrë, ‘Kurti nuk mund ta blejë votën e qytetarëve’.
“Thesi i mashtrimeve të një ‘babadimri’ që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur të qytetarëve e as nuk mund të arrijë qëllimin e blerjes së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare”- ka deklaruar Krasniqi, sot më 31.10.2025.
Sipas tij, ato që nuk u thanë në mbledhjen e fundit të qeverisë e që, siç shprehet ai, nuk u bënë për pesë vite; do të bëhen me qeverinë e ardhshme pa Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”- është shprehur ndër të tjera Krasniqi.
“Përpjekje për blerje votash” vendimin e qeverisë e ka konsideruar edhe partia e dytë në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Përmes një komunikate publike, ata theksojnë se ky vendim është marrë nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet.
“Në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen edhe si ekzekutiv, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me aktgjykimet e fundit të Gjykatës Supreme, kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike. Kjo sjellje arbitrare, jashtë çdo norme demokratike, përbën uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake”- thuhet në reagimin e tyre.
Sipas LDK-së, buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet dhe miratohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim.
Ata shprehen se asnjë qeveri në detyrë nuk mund të marrë vendim -‘kaq madhor’ që prek stabilitetin financiar të shtetit.
‘Këto veprime të Qeverisë në ikje përbëjnë abuzim me pushtetin, shkelje të etikës institucionale dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale, duke cenuar rëndë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe integritetin e zgjedhjeve”- thuhet tutje në reagimin e LDK-së.
Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se kjo rritje do të duhej të ndodhte para shumë vitesh.
Haradinaj premton se në qeverinë e ardhshme, pensioni bazik do të arrijë 200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 600 euro.
Ai gjithashtu ka theksuar se shtesat për fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç do të jenë konsiderueshëm të larta, duke mbështetur veçanërisht familjet me më shumë fëmijë: nënat me dy fëmijë do të marrin 100 euro, ndërsa nënat me katër fëmijë do të përfitojnë 300 euro në muaj.
Qeveria në detyrë, sot më 31.10.2025, miratoi Buxhetin për vitin 2026, që sipas Kurtit, arrin në 4 miliardë euro.
https://kallxo.com/lajm/qeveria-ne-detyre-miraton-projektligjin-per-buxhetin-e-vitit-2026/
Po ashtu Kryeministri në detyrë, Albin Kurti , në mbledhjen e Qeverisë në detyrë, ka njoftuar se nga muaji nëntor do të ketë rritje të pensioneve dhe shtesave për fëmijë.
Kurti tha se pensioni nga 120 euro do të behët 150 euro ndërsa shtesat për të gjithë fëmijët nga 0-16 vjeç do të rriten për 50%.
Përveç rritjes së pensioneve dhe shtesave, Qeveria në detyrë miratoi edhe rritjen e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se rritja e pagës minimale do të bëhet në dy faza. Faza e parë me 1 janar 2026, do të arrijë në 425 euro, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të shkojë në 500 euro, nga 350 sa ka qenë deri më tash paga minimale.
https://kallxo.com/lajm/kurti-nga-nentori-rriten-pensionet-dhe-shtesat-per-femije/