Ramiz Lladrovci, kandidat i "Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin" për kryetar të Drenasit, Foto: KALLXO.com
Lladrovci reagon për zhvillimet në PDK: Për hir të unitetit nuk po thuhet se ku u gabua!
Kryetari i zgjedhur i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se në PDK nuk po adresohet “përgjegjësia e organizimit dhe e strukturës së partisë”, për “bedelët nëpër degë”, apo për “dështimin kapital për të bërë opozitë kundër qeverisjes aktuale”, që sipas tij, është më e keqja që nga çlirimi.
“Për hir të unitetit, nuk po thuhet se ku u gabua, pozita dhe opozita më e madhe në Drenas janë PDK, vendimmarrësit nuk duan të cekin ende se PDK ka fituar në shtatë komuna”- ka shkruar Lladrovci, teksa ka shtuar se vepra e tij jetësore është e pandashme nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerë atdhetarë.
Ai ka thënë se deklarimet, përgëzimet e urimet nga drejtuesit qendror e lokal të PDK-së dhe qytetarët pas dorëheqjes së kreytarit të PDK-së Memli Krasniqi, kanë vënë në pah të kaluarën dhe zotimet për unitet.
Ramiz Lladrovci pret që kandidati për kryetar të PDK-së të ketë Platformën dhe deklaratën politike.
“Pres ta prezantoj kryesinë e ngushtë dhe të gjerë e cila do të jetë e aftë ta largojë qeverinë aktuale nga degradimi i mëtejmë i shtetit”- shkruan ai.
Ai ka thënë se nuk është në Kosovë por se zhvillimet në Kuvendin e PDK-së do i ndjek me interesim, duke pritur përgjigjen se cila është rruga e partisë.
Lladrovci ka fituar në Drenas me iniciativë qytetare, kundër PDK-së, kandidat dhe kryetar me të cilën ishte në Drenas që nga viti 2016.
Memli Krasniqi dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë pasi tha se nuk janë arritur synimet e partisë.
Ai ishte zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës më 03.07.2021.
Më 21.06.2025, ishte rizgjedhur në postin e kryetarit të kësaj partie.
“Kur e merr këtë pozitë e mendon edhe kur do të dorëhiqesh. Besoj ka ardhur momenti i duhur… Sot kam vendosur të dorëhiqem. Nuk ka qenë vendim i momentit, por i reflektimit”- tha ai, kur e dha lajmin e dorëheqjes.
Ai kishte njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës më 17.11.2025 do të mbajë Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Sot kam thirrur Konventën që do të mbahet të hënën, ku do të zgjidhet kryetari i ri i PDK-së”- tha Krasniqi.
Krasniqi ka shprehur bindjen që kandidat për kryetar dhe kandidat për kryeministër nga PDK duhet të jetë Bedri Hamza.
“Nëse Bedri Hamza kandidon për të qenë kryetar i PDK-së, ai e ka mbështetjen time të plotë. Është figura që mund t’i prij PDK-së. Gara është e hapur, çdo kush që i plotëson kriteret mund të garoj”- tha ai.
Deri më tani, kandidaturën për kryetar të PDK-së e ka bërë publike, Bedri Hamza që ishte kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 09.02.2025.
Vendimin për të garuar për kryetar të PDK-së Hamza e bëri publik përmes një postimi në Facebook gjatë ditës së enjte, më 13.11.2025.
“Sot, me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend. Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja”- ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ish-ushtruesi i detyrës së Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj dhe kandidat i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e 14.02.2021, më 14.11.2025 ka kërkuar shtyrje të Konventës.
Një parti serioze, sipas tij, nuk mund të mbajë konventë politike dhe përmbajtësore për një kohë kaq të shkurtër.
“Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”- ka shkruar Hoxhaj, më 14.11.2025.
Hoxhaj ka shkruar se ngutia nuk garanton garë cilësore, as reformim e unitetin e kërkuar i cili është i domosdoshëm sipas tij për PDK-në, në këtë kohë.
Ai konsideron se në parti demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi që delegatët të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët.
“Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”- ka thënë tutje ai.
Hoxhaj ka shkruar se është kundër çdo imponimi dhe tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët.
Ai deklaron se PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri e jo për skema të vjetra.
“Ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”- shkruan Hoxhaj.
https://kallxo.com/lajm/citaku-konventa-eshte-thirrur-sipas-statutit-te-pdk-se-mirepresim-garen-e-brendshme/