Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Lladrovci: Bedelët që ishin kundër meje në zgjedhjet e kaluara i kam mundur dhe do t’i mund sërish
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar sërish pas vendimit të Kryesisë së PDK-së për të mos ia besuar garën zgjedhore edhe për një mandat në krye të Drenasit.
Pavarësisht që PDK-ja e ka nominuar një kandidat tjetër, Lladrovci paralajmëron kandidaturën edhe për 4 vite të tjera me slloganin “Vazhdojmë +4”.
Duke mos përmendur emra, ai i ka quajtur keqbërës dhe bedelë”, ata që sipas tij, e ‘luftuan’ edhe në zgjedhjet e kaluara.
Përkundër kësaj, Lladrovci ka theksuar se është me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Pas shumë mesazheve për veprim ndaj situatës së krijuar me postime të porositura, kërkoj nga të gjithë qetësi dhe dashuri. Bedelët me letra e pa letra me ndonjë përjashtim, në zgjedhjet e kaluara ishin bashkë kundër meje. I munda dhe i mundi sërish. PDK dje, PDK sot, PDK gjithmonë. Tash dolën publikisht dhjetëshja e parë, qytetarët ua shohin fytyrat por edhe ua dinë veprat, asnjë maskë nuk do ti ndihmojnë. Me qytetarët do t’ua tregojmë vendin, keqbërësve dhe bedelëve. Vazhdojmë, +4!”- ka shkruar Lladrovci në rrjetin social “Facebook” më 29.07.2025
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka votuar Petrit Hajdarin si kandidat për kryetar të Drenasit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12.10.2025.
Hajdari ishte në garë të brendshme me kryetarin aktual të kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Lladrovci për herë të parë ishte bërë kryetar i Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2016, për tu rizgjedhur më 2017 dhe 2021.