Kthehet në pozitën e tij menaxheri i personelit të AKPMM-së, u degradua pasi denoncoi keqpërdorime
D. B., menaxher i personelit në Agjencinë për Pajisje dhe Produkte Medicinale ishte degraduar në pozitë pas një emaili që ai kishte dërguar duke pretenduar keqpërdorime brenda institucionit. Menaxheri i Personelit përmes një emaili të dërguar tek ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKPMM-së kishte përmendur disa keqpërdorime por pas këtij emaili ai ishte proceduar në komision diciplinor duke e degraduar në pozitë. Por Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMShCK) ka aprovuar ankesën e tij dhe ka obliguar AKPPM-në që të njëjtin ta kthejë në pozitën që ka pasur.
“Obligohet Zyrtari Kryesor Administrativ në AKPPM që në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e pranimit të këtij Vendimi, ankuesin D. B. ta kthej në vendin e tij të punës sipas akt-emërimit 4395 të datës 17.11.2025”- thuhet në vendimin e KPMSHCK-së.
KALLXO.com në shkurt të këtij viti kishte zbuluar komunikimet elektronike në të cilat ushtruesi i detyrës së kryeshefit të AKPPM-së, Arian Ahmeti, kërkoi nisjen e procedurave disiplinore ndaj vartësit të tij, i cili kishte vendosur të denonconte publikisht keqpërdorimet.
KALLXO.com kishte siguruar korrespondencën me të cilin Arian Ahmeti, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të kësaj Agjencie, më 31.01.2025, përmes një email-i kishte njoftuar menaxherin e Njësisë për menaxhimin e Burimeve Njerëzore të AKPPM-së, se ka iniciuar procedurë disiplinore, ndër të tjera me pretendimet se i njëjti kishte përhapur fakte të pavërteta dhe kishte tejkaluar autorizimet e tij.
“…inicioj procedurë disiplinore ndaj …, duke u mbështetur në faktet dhe rrethanat që konsistojnë në tejkalimin e autorizimeve dhe të drejtave të tij nga marrëdhënia e punës e shprehur përmes dhënies së vlerësimeve zyrtare për aktet administrative të ZKA-së, për të cilat ai nuk ka kompetencë, refuzimit për të respektuar udhëzimin dhe tërheqjen e vërejtjes së ZKA për të mos tejkaluar autorizimet e tij dhe përmes lajthitjes dhe përhapjes së pavërtetë të fakteve dhe rrethanave konkrete…”– thuhet në njoftimin e u.d. Kryeshefit.
Në vendimin e KPMSHCK-së konstatohet se inicimi i procedurës diciplinore nga u.d. Drejtori i datës 31.01.2025 është i paligjshëm.
Tutje KPMSCHK ka thënë se pozita e drejtorit ekzekutiv në AKPMM është duke u ushtruar në kundërshtim me ligjin për zyrtarët publik.
“Kolegji i KPMSHCK-së konstaton se inicimi i procedurës disiplinore nga ana e u.d. Drejtorit Ekzekutiv të AKPPM i datës 31.01.2025 është i pa ligjshëm dhe si i tillë nuk prodhon pasoja juridike, për këtë çështje Komisioni Disiplinor në AKPPM është dashur të kujdeset në bazë të autorizimeve ligjore, se pozita e Drejtorit Ekzekutiv në AKPPM është duke u ushtruar në kundërshtim me nenin 35 të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik”- thuhet në vendim.
Arian Ahmeti kishte marrë pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKPPM-së në gusht të vitit 2024, ndërsa më 31.01.2025 kishte njoftuar menaxherin e personelit për nisje të procedurës diciplinore.
Në vendimin e KPMSHCK-së konstatohet se kompetencat dhe detyrat e pozitës së Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale është ushtruar nga persona të ndryshëm në cilësinë e Ushtruesit të detyrës së Drejtorit nga data 17.09.2018 dhe është pozitë e lirë deri në marrjen e këtij vendimi.
KPMSHCK në vendimin e saj për rastin e D. B. iu referohet Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 10.06.2025 për Ligjin për Zyrtarët Publik.
Në këtë aktgjykim të Supremes thuhet se “Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”.
Supremja kishte sqaruar se “nga kjo dispozitë rrjedhë qartë se çdo akt juridik i nxjerrë nga një udhëheqës në cilësinë e ushtruesit të detyrës pas skadimit të afatit prej një viti është i pavlefshëm në thelb, për shkak të mungesës së kompetencës ligjore për të ushtruar funksionet që burojnë nga ajo pozitë…, Ligji i referohet pozitës si funksion institucional dhe jo individit si person. Pra ndërrimi i personit nuk e rifillon afatin gjashtëmujor, përkatësisht njëvjeçar të ushtrimit të përkohshëm të pozitës”.
KALLXO.com në shkurt të këtij viti pati publikuar shkrimin “Denoncimi në email-et e ministrit Vitia, sinjalizuesi procedohet në Komision disiplinor”.
https://kallxo.com/lajm/denoncimi-ne-emailet-e-ministrit-vitia-sinjalizuesi-procedohet-ne-komision-disiplinor/