Marta Kos, komisionare për Zgjerim e BE-së
Komisionerja për Zgjerim, Kos: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në vitin 2029
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2029, nëse vijon me ritmin aktual të reformave.
Ajo tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po bën punë të shkëlqyeshme.
“Do të hapim edhe dy grupkapituj të tjerë me Shqipërinë këtë vit. Pra, jemi dakorduar tanimë me Edin që të festojmë së pari në Bruksel e pastaj vitin tjetër në një ndeshje futbolli mes vendeve kandidate dhe vendeve anëtare. Nëse Edi do të vazhdojë kështu siç po bën deri tani, shkëlqyeshëm, atëherë deri më 2029 mund të kemi anëtarin e 29-të të BE-së dhe shpejt pas tij edhe të 30-in”- ka thënë ajo më 01.09.2025, gjatë Forumit Strategjik të Bledit në Slloveni.
Ajo theksoi se procesi i zgjerimit është në një fazë të rëndësishme dhe se në vitin 2028 Bashkimi Europian mund të numërojë 28 anëtarë, ndërsa me përparimin e Shqipërisë, në vitin 2029 ky numër mund të shkojë në 29.
Kos tha se qytetarët e Shqipërisë e mbështesin anëtarësimin në BE me 92%. Pjesë e këtij forumi ishte edhe kryeministri Rama i cili kur u përmend 92-përqindëshi ndërhyu me një shaka duke thënë se shqipëtarët janë besnikë.
“Mbështetëm Perandorinë Osmane me 92%, Mbështetëm Bashkimin Sovjetik me 92%, Mbështetëm Kinën maoiste me 92%”- tha ai.
Ndërsa më pas shtoi se Bashkimi Europian është “perandoria” e parë që shqiptarët e kanë përqafuar me zgjedhjen e tyre të lirë dhe përkushtimi është i plotë.
Në qershor të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë tha se Bashkimi Europian e ka ftuar të hapë negociatat për disa kapituj të grupkapitullit 4 të procesit të anëtarësimit në bllokun evropian.
Sipas një njoftimi, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare të BE-së autorizoi Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, dhe më 11.06.2025 Presidenca polake i dërgoi një letër Shqipërisë duke i kërkuar që të paraqesë pozicionin negociues për katër kapituj të “Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme”.
Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut europian.