Gazetarja e BIRN, Xhorxhina Bami, shperblehet nga BE per gazetari hulumtuese. Foto: BIRN
Gazetarja e BIRN, Xhorxhina Bami, shpërblehet nga BE për gazetari hulumtuese
Gazetarja e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Xhorxhina Bami, u shpërblye me vendin e dytë rajonal të çmimeve të Bashkimit Europian për Gazetari Hulumtuese, për hulumtimin që ekspozon mizogjeninë online dhe neglizhimin institucional në vende të Ballkanit lidhur me këtë dukuri.
Artikulli “Në Ballkan TikTok-u përdoret për t’i ‘turpëruar si të përdala’ gratë dhe vajzat”, tregon se si rrjeti social TikTok përdoret në Shqipëri dhe në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, për të shpërndarë foto dhe video të vajzave dhe grave, pa lejen e tyre.
Në artikull janë analizuar 427 video të postuara mes shtatorit 2020 dhe nëntorit 2023 që seksualizojnë, ngacmojnë dhe i targetojnë qindra vajza dhe gra si të përdala.
“Problemi kryesor që doli në pah me këtë hulumtim ishte që asnjë nga tetë vendet e analizuara nuk kanë ligje specifike që e trajtojnë bullizimin kibernetik si një vepër penale të veçantë, por mund të trajtohet kryesisht nga veprat penale të gjuhës së urrejtjes, fyerjes dhe përndjekjes. Pra policia dhe prokuroria duhet ta kuptojnë fenomenin dhe të jenë shumë kreativ kur trajtojnë këto raste që shpesh nuk ndodh dhe ato anashkalohen”- deklaroi Bami.
Ajo shtoi se “askush nuk ka të drejtë të shpërndajë fotot apo videot tuaja pa lejen tuaj, e aq më tepër t’i përdorë ato për ofendime, ngacmime dhe shpërndarje të të dhënave personale”.
Edhe vendi i tretë iu nda gazetarit të BIRN nga Serbia, Sasha Dragoljo, për hulumtimin e dërgesave të fshehta të armëve nga Serbia në Izrael.
Ndërsa, vendi i parë iu nda gazetarëve nga Maqedonia e Veriut, Maja Jovanovska dhe Bojan Stojanovski, për zbulimin e një skandali të prokurimit publik shumë milionë eurosh në sektorin e energjisë.
Çmimet rajonale dhe ato lokale të BE-së, për gazetari hulumtuese, u ndan më 26.11.2025 në Prishtinë.