Flamuri amerikan - Foto: REL/Shutterstock
Shtetet e Bashkuara të Amerikës urojnë Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar më 28.11.2025, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi marrëdhëniet e forta dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.
Rubio vlerësoi aleancën e Shqipërisë me SHBA-në brenda NATO-s, duke e cilësuar atë bazë të mbrojtjes së përbashkët. Ai u shpreh se Uashingtoni mirëpret rritjen e investimeve të Shqipërisë në sigurinë kolektive.
Në deklaratë u theksua bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër grupeve kriminale transnacionale, karteleve të trafikut të drogës dhe aktorëve të tjerë që paraqesin rrezik për qytetarët e të dy vendeve. SHBA vlerësoi gjithashtu përparimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe rolin e saj në adresimin e kërcënimeve kibernetike globale.
“Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim zgjerimin e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe miqësisë së qëndrueshme mes dy vendeve tona” – thuhet në fund të deklaratës së Sekretarit të Shtetit.
Shqipëria dhe shqiptarët sot kremtojnë 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.