Hysni Mehani i LVV-së, i vetëm përballë Jeta Xharrës, shpalos zotimet për Skenderajn
Skenderaj është një prej komunave që vazhdon të përballet me problemet me ujë të pijes, ndërtime pa leje dhe pa kriter.
Për t’i adresuar këto sfida dhe zgjidhjet për to, në Debat Përnime refuzuan pjesëmarrjen kandidati i PDK-së, Sami Lushtaku dhe kandidati i Iniciativës Qytetare për Skenderaj, Sokol Halili. Hysni Mehani, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Skenderajt, ishte i vetmi që pranoi të ballafaqohet me pyetjet e Debat Përnime, i vetmi debat me formatin e Fact Check.
Sami Lushtaku e Sokol Halili i ikën ballafaqimit për të folur për ndërtimet pa leje, infrastrukturën e adresimin e sfidave në arsim.
Për 25 vite rresht, që nga pas lufta, përveç një mandati 4-vjeçar që u drejtua nga Bekim Jashari, 21 vitet e tjera Skenderaj u drejtua nga kryetarë që vinin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Sami Lushtaku për 2 mandate shërbeu si kryetar komune dhe tani synon të tretin, ndërsa në mandatin aktual ai mban pozitën e nënkryetarit.
Në 2021, Lushtaku nuk u certifikua si kandidat për Skenderajn për shkak kishte dy dënime të plotfuqishme në 3 vitet e fundit.
Lushtaku ishte i dënuar për arratisjen nga ‘Burgu i Dubravës’ dhe për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.
Çka po premton Lëvizja Vetëvendosja në Skenderaj?
Lëvizja Vetëvendosje mori rreth 3.24% të votave për kryetar në Skenderaj në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, nuk vendosën kandidat për kryetar duke u pozicionuar në krah të ish-kryetarit dhe kandidatit të atij viti, Bekim Jasharit.
Në këto zgjedhje që do të mbahen më 12 tetor 2025, kandidati i LVV-së, Hysni Mehani premton qeverisje “në interes publik”.
“Unë me qeverisjen time ia kthej qytetarit qeverisjen për interes publik. Parimi tjetër është që do të ketë qeverisje që shërben, jo që sundon. Jo qeverisje me duar të hekurta, por qeverisje me duar shtrirë për të gjithë qytetarët. Edhe qeverisje që i bashkon, jo që i përçanë” – tha ai.

Ai përmendi ujin e pijes – për çka tha se ende qytetarët e Skenderajt nuk e ka të zgjidhur.
Mehani u zotua për jetësimin e “Pendës së Kuqicës”.
Mes tjerash, premtoi edhe ngrohtoren e qyteti, pishinë gjysmë-olimpike dhe trafik urban.
“Në mandatin tim fillon ndërtimi i ngrohtores së qytetit. Është e pakuptimtë me kriju edhe me lëshu leje për objekte 9 kate, të cilat në fund të ditës kemi me i ngroh me dru. Pra e fillojmë projektin për ndërtimin e ngrohtores së qytetit, pishinë gjysmë-olimpik. Me mua krijohet një linjë ndër-urbane që i lidh lagjet e qytetit e që do të jetë krejt gratis” – deklaroi tutje Mehani në “Debat Përnime”.
Infrastruktura
Kandidati i LVV-së, Hysni Mehani në “Debat Përnime” premtoi edhe ndërtimin e shtegut të ecjes që fillon tek “Ilaz Kodra” edhe përfundon tek rruga “Ali Gashi”.
Mehani u zotua se do ta çojë në fund një premtim të PDK-së, nënkalimin në sheshin “Adem Jashari”.
“Ky projekt mundet me shku 1 milion euro. Po prapë po them na duhet me pasë edhe mundësinë e bashkë-memorandumit të bashkëpunimit me nivelin qendror. Këta [PDK] e kanë premtuar një nënkalim në sheshin “Adem Jashari” që edhe unë besoj është i nevojshëm, por që s’e kanë realizuar, me neve ky projekt bëhet i mundshëm”- tha Mehani.
Ndërtimet pa leje
Sipas regjistrit të fundit të vitit 2015 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në Skenderaj janë 5,967 ndërtime pa leje.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj u pyet për zgjedhjen për trajtimin e këtyre lëndëve dhe për koeficientin e ndërtimeve.
Mehani premtoi ulje të koeficientit të ndërtimeve në Skenderaj.
“Aktualisht sipas të dhënave, 34% e banesave të Skenderajt janë të pa-banueshme, që i bie çdo e treta banesë nuk është duke u përdorur, janë boshe. Ajo çfarë neve na duhet është me i ulë koeficientet e ndërtimit, sepse nuk ka kuptim ky nivel i ndërtesave të larta” – tha Mehani.
Ai tha asnjë ndërtesë nuk duhet të jetë mbi 5 kate.
“Tash Skenderaj ka pesë lagje, po në lagje nuk është e mundshme me ndërtu për shkak se është pjesë e kompleksit memorial “Adem Jashari”. Lagjet 1 edhe 2 ky është maksimumi, është 5 kate.” – thotë Mehani.

Kurse për trajtimin e rreth 6 mijë objekte pa leje, Mehani premtoi se do të trajtohen të gjitha aplikimet për legalizim.
Arsimi
Duke folur për sistemin arsimor, Mehani u zotua për mësim gjithë-ditor, duke thënë se është edhe prioritet i nivelit qendror.
Po ashtu, u zotua edh për ndërtimin e 7 çerdheve të reja.
“Tash mësimi gjithë-ditor është pjesë edhe e programit të nivelit qendror, premtim i Qeverisë Kurti, që do të bëhet në të gjitha shkollat. Po e realizon mandatin e ardhshëm tash” – ka thënë Mehani.
“Unë bëj çerdhe në “Lagjen Tre”, në Prekaz, në Polac, Qirez, Klinë e Epërme, Turiqevc. Shtatë çerdhe” – tha Mehani në Debat Përnime.