Haziri ka vizion tjetër për LDK-në, por Abdixhikun e sheh si lider të besueshëm
Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka thënë në një intervistë për KALLXO.com se kur kjo parti tregohej pragmatiste ajo i merrej si dobësi. Por, sipas tij, LDK-ja e sotme nuk mund të pritet të jetë e tillë.
Haziri u pyet se pas tërheqjes së Memli Krasniqit nga kreu i PDK-së a e sheh të nevojshme diçka të tillë edhe në LDK pas rezultateve të zgjedhjeve lokale por edhe për shkak se LDK është e treta në Kuvend sa i përket ulëseve.
Ai ka thënë se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka demonstruar që LDK-ja nuk e ka më atë pragmatizëm dhe se kompromiset e kësaj partie u morën në vazhdimësi si dobësi edhe pse bëheshin në interes të Republikës.
“Kjo nuk ka qenë dobësi, ka qenë sjellje prej burrështetasi për t’i dhënë vendit zgjidhje, gjithmonë dikush duhet të jetë më tolerant e që ofron zgjidhje. Abdixhiku ka ofru opsion qytetar, më pas edhe opsion në tavolinë, ka thënë: ‘hajde po e bëjmë bashkë’ dhe kjo nuk ka gjetë mbështetjen e duhur. Tani, kjo është LDK-ja e që nuk ndryshon për shkak se të tjerët ndryshojnë”- ka thënë Haziri.
I pyetur nga KALLXO.com se a e sheh se ai mund të bëjë ndryshim në LDK, në vend të Lumir Abdixhikut, Haziri ka thënë se ka dhënë ofertën e tij kur ishte kundërkandidat i Abdixhikut për të parin e partisë por se oferta e tij nuk mori mbështetje.
“Unë kam vizion krejt tjetër për zhvillimin e LDK-së. Kam pasë edhe e ruaj edhe sot. Krejt tjetër format, model dhe mundësi por projekti i zotëri Abdixhikut është treguar më i besueshëm në atë kohë dhe nuk ka pasur debat. Nuk kemi pasur debat, as në Kuvend bile nuk është bisedu por unë kam kërkuar vetëm korrektësi dhe garë politike për aq sa ka pasë garë politike”- tha ai, duke shtuar se për të Abdixhiku “është lider i besueshëm”, i cili e mori LDK-në në ditë të vështira dhe po e udhëheq në procese politike që nuk janë të lehta për Kosovën.
Megjithatë, Haziri mohoi se tenton të jetë ai kryetari i LDK-së.
“Në asnjë mënyrë, nuk ka të bëjë me kërkesë, as me dëshirë. Vetëm suksesi, rezultati, anagazhimet dhe përballja me proceset politike. Jo gjithmonë duhet me këqyrë numra, jo gjithmonë duhet me pa kërkesa por duhet me pa procese politike. Ne kemi unitet të brendshëm, ka unitet në veprim, ka debat të brendshëm, kemi ballafaqim të brendshëm dhe po mundohemi me i minimizu dëmet kolaterale që po na dalin në proceset zgjedhore në veçanti”- tha Haziri.
LDK në zgjedhjet lokale ka fituar 7 komuna kurse ka humbur për dallim nga zgjedhjet e vitit 2021 Obiliqin dhe Fushë-Kosovën.
Kjo parti në zgjedhjet e 09.02.2025 ka fituar 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës, për dallim nga LVV që ka siguar 48 deputetë e PDK 24.
Lutfi Haziri ka qenë kundërkandidat i Lumir Abdixhikut në zgjedhjet e brendshme të LDK-së në vitin 2021 por që fitues doli Abdixhiku i cili tanimë, është rikonfirmuar në atë pozitë në vitin 2023.
Memli Krasniqi më 12.11.2025 ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë pasi që, sipas tij, PDK nuk arriti synimet e veta. Kjo parti në zgjedhje lokale ka humbur pushtetin në Drenas dhe Mitrovicë të Jugut kurse në Kuvendin e Kosovës është e dyta sipas ulëseve.