Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez
Gruaja e kryeministrit spanjoll akuzohet për përvetësim të fondeve publike
Begona Gomezin, gruaja e kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, po akuzohet për përvetësim të fondeve publike, raporton gazeta britanike “The Times”.
Gomez, bashkë me Cristina Alvarezin, zyrtare e punësuar në zyrën e kryeministrit, që ishte këshilltare e tij dhe që është akuzuar për të njëjtin krim, janë ftuar që në shtator të dalin para drejtësisë.
Dyshja duhet t’u përgjigjet dyshimeve me keqpërdorim të burimeve shtetërore lidhur me postin akademik të Gomezit në Universitetin Complutense në Madrid, ku ajo kishte ligjëruar një lëndë edhe pse nuk kishte diplomë.
Akuza e ngritur ndaj Gomezit shënon një tjetër goditje ndaj qeverisë së Sanchzesit të akuzuar për korrupsion.
Kryeministri spanjoll po lufton për mbijetesë pushteti prejse Santos Cerdan, dora e tij e djathtë, u paraburgos në qershor me dyshimin për ryshfet, konspiracion kriminal dhe për ndikim.
Hetimi i gruas së tij është dominuar prej debatit politik dhe juridik që më shumë se një vit. Rasti nisi në prillin e vitit të kaluar me dyshimet për përdorim të ndikimit dhe korrupsion në biznes, dhe prej atëherë është zgjeruar rasti me përfshirje të akuzave për përvetësim të paligjshëm dhe ndërhyrje profesionale.
Zhvillimi i fundit ka në thelb përpjekjen e prokurorisë për ta dëshmuar nëse Alvarez kishte kryer punë në emër të postit të Gomezit në universitet, duke devijuar kështu burimet publike për qëllime private.
Sipas burimeve të drejtësisë të cituara nga “El Pais”, Gjykata e Provincës së Madridit ka hapur rrugën në qershor që gjyqtari Juan Carlos Peinado ta ekzaminojë këtë pistë hetimi.
Gjykata e ka autorizuar që të hetojë nëse koha dhe paga e Alvarezit si nëpunëse publike ishin keqpërdorur për çështje të palidhura me postin e saj zyrtar.
Kryeministri vazhdon të ngulmojë se gruaja e tij është e pafajshme dhe ka dënuar thirrjet që i quan sulm prej opozitës djathtiste ndaj qeverisë së tij.
Është hera e dytë që Gomez do të merret në pyetje nga Peinado. Në korrik, ajo ishte thirrur të dëshmonte në lidhje me dyshimet e mëhershme për përdorim të ndikimit, gjë që e ka hedhur poshtë me vendosmëri.
Mbrojtja e saj këmbëngul se puna e saj akademike ka qenë transparente dhe se bashkëpunimi me kompani private përkonte me qëllimet e detyrave të saj universitare. Në akuzën e re të shtatorit, megjithatë, ajo do të përballet edhe me dyshimin për përvetësim të fondeve publike.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com