Arkiv - Ilustrim
Gjykata Ndërkombëtare Penale heton raportet për vrasje masive në Sudan
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka thënë të hënën (03.11.2025) se po mbledh dëshmi pas dyshimeve për vrasje masive dhe dhunime pasi forcat Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë morën kontrollin e Al-Fashirit – bastionit të fundit të ushtrisë në rajonin sudanez të Darfurit, ka raportuar Reuters.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hetuar gjenocidin e dyshuar, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Darfur që nga viti 2005, kur çështja iu referua për herë të parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, shumë kohë para se të shpërthente lufta aktuale civile më 2023.
“Brenda hetimit në vazhdim, zyra po ndërmerr hapa të menjëhershëm lidhur me krimet e dyshuara në (Al-Fashir) për ruajtjen dhe mbledhjen e provave relevante për përdorimin e tyre në ndjekjet penale të ardhshme”, kanë thënë prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale në një deklaratë.
Më shumë se 70 mijë njerëz janë larguar nga Al-Fashir deri më tani, dhe të mbijetuarit i kanë treguar Reutersit për ndarjen dhe vrasjen e burrave që u larguan nga qyteti i Darfurit për shkaqe sigurie.
Ekspertët kanë thënë se dhuna e raportuar mban shenjat e episodeve të mëparshme në Darfur që u etiketuan gjerësisht si gjenocid. Fati i pothuajse 200 mijë njerëzve që mendohet se janë të bllokuar në qytet mbetet i panjohur. Kreu i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq i ka thënë Reutersit në fundjavë se historia po përsëritej në Darfur me kapjen e Al-Fashir nga RSF, duke i dhënë asaj kontrollin de fakto të më shumë se një të katërtës së Sudanit.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, me seli në Hagë, ka dënuar muajin e kaluar liderin e parë të milicisë Janjaweed që u nxor para drejtësisë në gjyq për mizoritë e kryera në Darfur më shumë se 20 vjet më parë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të ndjekë penalisht autorët e dyshuar të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit, gjenocidit dhe në disa raste krimit të agresionit nëse kryhen në territorin e njërit prej 125 shteteve anëtare të gjykatës, ose nga shtetas të anëtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ose kur një çështje referohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com